Gjykata Supreme shfuqizon kufizimin në kohë të së drejtës për kompensim të udhëtimeve zyrtare

Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kundër Qeverisë së Kosovës dhe ka shfuqizuar nenin 6, paragrafi 6, të Rregullores për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit. Paditësi KDI në Gjykatën Supreme ka parashtruar padi kundër të paditurës Qeveria e Kosovës për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ,…

Lajme

18/12/2025 16:19

Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kundër Qeverisë së Kosovës dhe ka shfuqizuar nenin 6, paragrafi 6, të Rregullores për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

Paditësi KDI në Gjykatën Supreme ka parashtruar padi kundër të paditurës Qeveria e Kosovës për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht paragrafit 6 të nenit 6 të Rregullores Për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

KDI, në korrik 2025, ka pranuar ankesë nga një grup i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë raportuar për shkeljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, lidhur me kompensimin e udhëtimeve zyrtare.

Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar dhe se dispozita e kontestuar bie ndesh me legjislacionin në fuqi.

Neni 6 i kësaj Rregulloreje, vendos kufizimin që shpenzimet e udhëtimit zyrtar nuk mbulohen për periudha më të gjata se një muaj, por, ky kufizim njëmujor për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar nuk parashihet në ligj.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik garanton qartë të drejtën e zyrtarëve publikë për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, pa asnjë kufizim kohor.

Qeveria është e autorizuar vetëm të rregullojë mënyrën, kushtet dhe procedurën e kompensimit, por jo të kufizojë vetë këtë të drejtë, përkujton Gjykata Supreme.

Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi njëmujor nuk është thjesht një rregull teknik, por cenon të drejtën e garantuar me ligj dhe tejkalon kompetencat e Qeverisë.