Gjykata Supreme refuzon katër ankesa zgjedhore – konfirmon vendimet e PZAP-së për kuotën gjinore dhe shpërndarjen e mandateve

Kolegjet e Gjykatës Supreme të Kosovës kanë refuzuar si të pabazuara katër ankesa të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke konfirmuar ligjshmërinë e vendimeve të këtij institucioni në lidhje me shpërndarjen e mandateve dhe zbatimin e kuotës gjinore në zgjedhjet lokale. Në rastin e parë, AA.nr.108/2025, Gjykata Supreme ka…

Lajme

11/11/2025 15:24

Kolegjet e Gjykatës Supreme të Kosovës kanë refuzuar si të pabazuara katër ankesa të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke konfirmuar ligjshmërinë e vendimeve të këtij institucioni në lidhje me shpërndarjen e mandateve dhe zbatimin e kuotës gjinore në zgjedhjet lokale.

Në rastin e parë, AA.nr.108/2025, Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e kandidatit për asamblist në Komunën e Prishtinës nga subjekti politik “Lidhja për Prishtinën”, Kreshnik Sopi, i cili kishte kontestuar mënyrën e aplikimit të kuotës gjinore. Ai kishte pretenduar se kuota ishte zbatuar në mënyrë “mekanike”, duke përjashtuar kandidatë me më shumë vota.
Gjykata konstatoi se përllogaritja e mandateve nga KQZ dhe e konfirmuar nga PZAP është bërë në përputhje me ligjin dhe nuk cenon vullnetin e votuesve. “Përfaqësimi gjinor nuk është vetëm kërkesë formale, por detyrim që zbatohet edhe gjatë shpërndarjes së mandateve”, thuhet në vendim.

Në rastin e dytë, AA.nr.109/2025, Gjykata refuzoi ankesën e kandidatit për asamblist të PDK-së në Podujevë, Isuf Osmani, i cili po ashtu kishte kundërshtuar zbatimin e kuotës gjinore. Gjykata theksoi se përjashtimi i kuotës do të cenonte përfaqësimin minimal prej 30% të gjinisë më pak të përfaqësuar në Kuvendet Komunale.

Në rastin e tretë, AA.nr.110/2025, Gjykata hodhi poshtë ankesën e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK) dhe kandidates Anduena Culaj, të cilët kishin kërkuar rishpërndarje të mandateve në Klinë. Gjykata vlerësoi se Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk parashikon ndarje të njëjtë të mandateve ndër komunat dhe se shpërndarja bëhet sipas votave brenda komunës, duke respektuar kuotën gjinore prej 30%.

Ndërsa në rastin e katërt, AA.nr.112/2025, është refuzuar ankesa e kandidatit për asamblist në Komunën e Mitrovicës së Veriut, nga subjekti politik Iniciativa për Mitrovicën e Veriut, Nedzad Uglanin. Ai kishte kërkuar që PZAP të rivlerësonte vendimin bazuar në numrin e banorëve rezidentë, por Gjykata Supreme konstatoi se vendimi i PZAP-së ishte i drejtë dhe në përputhje me ligjin, pa shkelje të të drejtave themelore apo parimeve zgjedhore.

Me këto vendime, Gjykata Supreme ka vulosur qëndrimin se procesi i shpërndarjes së mandateve dhe zbatimi i kuotës gjinore është bërë në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.