Gjykata Supreme e Kosovës refuzon ankesën e PDK-së ndaj Ramiz Lladrovcit

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ndaj subjektit politik “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, duke vërtetuar vendimin e mëhershëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Ankesa kishte të bënte me pretendimet për keqpërdorim të emrit dhe identitetit të PDK-së nga ana e…

Lajme

10/10/2025 11:50

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ndaj subjektit politik “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, duke vërtetuar vendimin e mëhershëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Ankesa kishte të bënte me pretendimet për keqpërdorim të emrit dhe identitetit të PDK-së nga ana e kandidatit Ramiz Lladrovci gjatë fushatës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025, transmeton lajmi.net.

PDK kishte kërkuar sanksionimin e Lladrovcit, duke pretenduar se deklaratat e tij publike, ku ai shprehej “jam më PDK se vetë kryesia” dhe “Zgjedhjet i fiton vetëm Partia Demokratike e Kosovës, që është këtu (duke treguar nga vetja)”, përbëjnë dezinformim dhe manipulim publik. Subjekti ankimues kërkonte që Lladrovcit t’i ndalohej përdorimi i emrit, logos dhe simboleve të PDK-së në fushatën e tij.

Mirëpo, Gjykata Supreme ka vlerësuar se këto deklarime, ndonëse të papërshtatshme dhe jo korrekte, nuk përbëjnë shkelje të nenit 32 dhe 34 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, që ndalon veprime të caktuara gjatë fushatës zgjedhore. Sipas gjykatës, deklarimet e Lladrovcit nuk kanë karakter nxitës, nuk përbëjnë kërcënim apo thirrje për dhunë, dhe nuk ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor apo keqinformojnë publikun në mënyrë që të ndikohet rezultati i zgjedhjeve.

Gjykata gjithashtu ka theksuar se pretendimet e PDK-së nuk janë mbështetur me prova të qarta dhe bindëse, siç kërkohet me ligj, duke rikujtuar se barra e provës bie mbi palën ankuese. Sipas gjykatës, votuesit janë të informuar mjaftueshëm për subjektet politike dhe kandidatët në garë, ndaj nuk ekziston rrezik për konfuzion rreth përfaqësimit politik të Lladrovcit.

Në vendimin e saj, Gjykata Supreme vlerësoi se PZAP ka vepruar drejt në vlerësimin e fakteve dhe ligjit, duke refuzuar ankesën e PDK-së dhe vërtetuar se nuk ka pasur shkelje të ligjit nga ana e Lladrovcit apo subjektit të tij politik. Me këtë vendim, Lladrovci vazhdon garën për kryetar të Drenasit pa ndonjë ndalesë ligjore lidhur me përdorimin e emrit të PDK-së në retorikën e tij./lajmi.net/