Gjykata Speciale merr vendim, 11 personave u ndalohen vizitat te Thaçi
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për kufizimin e vizitave për Hashim Thaçin në lidhje me çështjen kundër administrimit të drejtësisë. Vendimi i datës 18 gusht 2025, i marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot, parashikon ndalimin e vizitave për 11 persona, mes tyre Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla,…

Lajme
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për kufizimin e vizitave për Hashim Thaçin në lidhje me çështjen kundër administrimit të drejtësisë.
Vendimi i datës 18 gusht 2025, i marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot, parashikon ndalimin e vizitave për 11 persona, mes tyre Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati dhe katër të tjerë me emra të redaktuar.
Prokuroria kishte kërkuar që ndalimi të vlente edhe për tre vëllezërit e Thaçit, por gjykata e refuzoi këtë kërkesë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kontaktit familjar, sidomos pas vdekjes së babait të tij. Gjyqtarja Masselot mori parasysh se vizitat e vëllezërve i ofrojnë mbështetje morale Thaçit gjatë procesit gjyqësor.
Në arsyetimin e saj, Prokuroria tha se disa vizita të mëparshme kishin përfshirë biseda me zë të ulët, ku Thaçi dyshohet se ka dhënë udhëzime për t’u përcjellë tek dëshmitarët. Ajo argumentoi se këta persona mund të pengojnë drejtësinë duke ndikuar mbi dëshmitarët. Gjykata, megjithatë, konstatoi se kufizimet janë të nevojshme vetëm për individët për të cilët ka tregues të besueshëm se kanë qenë të përfshirë në vizita ku janë diskutuar informacione konfidenciale.
Njëri prej personave të redaktuar, sipas vendimit, kishte marrë pjesë në një vizitë më 1 korrik 2023 bashkë me Behramin dhe Kastratin, ku është folur për dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur. Kjo, sipas gjykatëses, ishte indikacion i mjaftueshëm për ta ndaluar atë nga vizitat jo të privilegjuara.
Gjykata gjithashtu refuzoi kërkesën e Prokurorisë që të kufizohej diskutimi gjatë vizitave për çështjet e krimeve të luftës apo kundër administrimit të drejtësisë, duke thënë se informacionet publike nuk mund të ndalohen. Kufizimet do të rishikohen çdo tre muaj.
Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori 2020, ku po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Përveç kësaj, vitin e kaluar ndaj tij u ngrit edhe aktakuzë për pengim të drejtësisë. Në këtë aktakuzë përfshihen gjithashtu Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sipas aktakuzës së fundit, Thaçi dhe bashkë me grupe të lidhura me të, si Grupi Fazliu, Grupi Smakaj dhe Grupi Kilaj, dyshohen se kanë ushtruar ndikim mbi dëshmitarë përmes vizitave jo të privilegjuara të zhvilluara në vitin 2023. Për këtë arsye, ndaj Thaçit rëndojnë akuza për pengim të personit zyrtar, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërkohë, edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi po përballen me akuza të ndryshme në lidhje me rastin për pengim të drejtësisë.