Gjykata ruse vërteton mbajtjen në burg të pilotes ukrainase

Gjykata e Qytetit të Moskës e ka vërtetuar vendimin e një gjykate më të ulët për vazhdimin e paraburgimit për piloten ukrainase, Nadia Savçenko, deri më 13 shkurt 2015.

Bota

22/12/2014 18:31

Si raporton REL, 33 vjeçarja Savçenko është zënë në muajin qershor nga separatistët pro-rusë në pjesën lindore të Ukrainës dhe është dërguar në paraburgim në Rusi në muajin korrik.

Nga autoritetet ruse ajo është akuzuar për bashkëpjesëmarrje në vrasjen e dy gazetarëve rusë, që vdiqën derisa raportonin për konfliktin në Ukrainë.

Savçenko i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka thënë se ilegalisht ishte transferuar në paraburgim në Rusi. Avokati i saj, Mark Feigin tha se shëndeti i saj është dobësuar në mënyrë të konsiderueshme gjatë paraburgimit të saj gjashtëmujor.

Nadia Savçenko ishte zgjedhur deputete në Kuvendin e Ukrainës në zgjedhjet e tetorit dhe ishte emëruar përfaqësuese e Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.