Gjykata refuzon pranimin e fajësisë ndaj drejtoreshës së MKRS-së e akuzuar për mosraportim të plotë të pasurisë
Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Rrezarta Loxha-Vitaku, drejtoreshë në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), pranoi fajësinë për mosdeklarim të plotë të pasurisë. Por, Gjykata ia refuzoi këtë pranim fajësie. Ky refuzim u bë pasi që gjyqtari i vetëm gjykues, Bujar Ahmeti, konstatoi…

Lajme
Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Rrezarta Loxha-Vitaku, drejtoreshë në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), pranoi fajësinë për mosdeklarim të plotë të pasurisë. Por, Gjykata ia refuzoi këtë pranim fajësie.
Ky refuzim u bë pasi që gjyqtari i vetëm gjykues, Bujar Ahmeti, konstatoi që pranimi i fajësisë nuk është në përputhje më shkresat e lëndës.
“Refuzohet pranimi i fajësisë pasi që nuk është në përputhje me shkresat e lëndës”, tha gjyqtari Ahmeti.
Por, prokurori i rastit Dardan Qela propozoi aprovimin e fajësisë së të pandehurës, pasi që sipas tij janë plotësuar kushtet ligjore.
Paraprakisht, gjatë kësaj seance pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Qela, e pandehura Loxha-Vitaku kishte pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 gusht 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Rrezarta Loxha-Vitakut, me kërkesë për shqiptim të urdhrit ndëshkimor.
Loxha-Vitaku akuzohet që në cilësinë e drejtoreshës në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), përkundër detyrimit për të deklaruar pasurinë, të ardhurat, dhuratat, si dhe dobitë e tjera materiale dhe financiare, nga 1 deri më 31 mars të vitit 2022, për vitin paraprak (nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2021), e njëjta gjatë deklarimit nuk i ka përfshirë të gjitha të dhënat edhe përkundër që i ka deklaruar pajisjet e ordinancës, ajo nuk e ka deklaruar emrin e ordinancës së bashkëshortit, të shoqërsië tregtare.
Me këtë, Loxha-Vitaku akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, pargarfi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi