Gjykata në Pejë dënon me 22 vjet burgim personin që vrau fqinjin në vitin 2022, shpallet fajtor edhe për tentim vrasje dhe armëmbajtje
Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me 22 vjet burgim A.N., pasi e ka shpallur fajtor për vrasjen e M.A., vrasjen e rëndë në tentativë dhe mbajtjen, kontrollin ose posedimin e paautorizuar të armëve. Aktgjykimi është shpallur nga Departamenti i Krimeve të Rënda, me trupin gjykues të kryesuar nga gjyqtari Musë Povataj, me anëtarët…
Lajme
Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me 22 vjet burgim A.N., pasi e ka shpallur fajtor për vrasjen e M.A., vrasjen e rëndë në tentativë dhe mbajtjen, kontrollin ose posedimin e paautorizuar të armëve.
Aktgjykimi është shpallur nga Departamenti i Krimeve të Rënda, me trupin gjykues të kryesuar nga gjyqtari Musë Povataj, me anëtarët Veton Ademaj dhe Shaqë Curri.
Sipas aktgjykimit, për veprën penale të vrasjes, A.N. është dënuar me 19 vjet burgim, për vrasjen e rëndë në tentativë me pesë vjet burgim, ndërsa për veprën që lidhet me armët i është shqiptuar dënimi prej një viti burgim.
Pas shqiptimit të dënimeve individuale për tri veprat penale, gjykata ka caktuar dënimin unik prej 22 vjetësh burgim.
Po ashtu, gjykata ka urdhëruar konfiskimin e armëve dhe municionit të sekuestruar, ndërsa ka vendosur që i dënuari të vazhdojë të mbahet në paraburgim deri në marrjen e formës së prerë të aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi unik i shqiptuar.
Rasti lidhet me vrasjen e M.A., i cili u vra në prill të vitit 2022 nga fqinji i tij, tashmë i dënuari A.N.
Sipas informacioneve të raportuara për rastin, vrasjes i kishte paraprirë një konflikt mes disa familjarëve të viktimës dhe të pandehurit, i cili kishte eskaluar në përleshje fizike.
Në kohën kur ndodhi vrasja, një familjar i të pandehurit ishte duke u intervistuar nga Policia në cilësinë e viktimës lidhur me rastin e rrahjes. /Lajmi.net/