Gjykata liron të gjithë të akuzuarit për hapjen e tunelit nëntokësor në gjykatën e Podgoricës

Një gjykatë malazeze i ka liruar të premten nga akuzat tetë personat e akuzuar për gërmimin e një tuneli të gjatë që çonte brenda një depoje të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, për shkak të mungesës së provave. Gjykata Themelore tha se nuk është vërtetuar se kush e gërmoi tunelin, dhe se nuk u vërtetua…

Lajme

03/10/2025 17:06

Një gjykatë malazeze i ka liruar të premten nga akuzat tetë personat e akuzuar për gërmimin e një tuneli të gjatë që çonte brenda një depoje të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, për shkak të mungesës së provave.

Gjykata Themelore tha se nuk është vërtetuar se kush e gërmoi tunelin, dhe se nuk u vërtetua se të pandehurit i kishin kryer krimet për të cilat akuzoheshin.

Tuneli 30 metra i gjatë – i cili ishte gërmuar nga një banesë e lëshuar me qira pranë Gjykatës së Lartë deri në depon e saj – u zbulua më 11 shtator 2023, kur oficerët vërejtën sende të shpërndara në depo.

Depoja përmbante 100.000 sende, materiale provuese nga procese të shumta penale, lëndë gjyqësore, nëntë tonë drogë, 400 armë, municione, eksploziv.

Deri më sot, nuk është përcaktuar se çfarë ishte vjedhur prej tij.

Gjykata e Lartë ndodhet në qendër të Podgoricës, pranë institucioneve më të larta shtetërore – Parlamentit, Qeverisë, Bankës Qendrore dhe ndërtesës së Presidentit të vendit.

Gjykata tha se të pandehurit u liruan nga akuzat sepse nuk kishte prova që i lidhnin ata me këtë çështje.

Pra, sipas vendimit, nuk u gjetën gjurmë ADN-je as nga tuneli, as nga banesa me qira dhe as nga vetë depoja.

Ky vendim është i shkallës së parë, prandaj prokurorët kanë të drejtë të ankohen brenda 15 ditëve nga marrja e vendimit.

Çfarë thuhet në vendim?

Gjykata e arsyeton vendimin se asnjë nga gjurmët e gjetura në tunel, banesën e lëshuar me qira, bodrumin ose vetë depon, nuk përmbante gjurmë ADN-je që mund të lidheshin me ndonjë nga tetë të pandehurit.

Vendimi thotë se Vladimir Eriq ishte në stacionin e Policisë në Loznicë më 8 shtator 2023, tri ditë para zbulimit të tunelit, në kohën kur ai u akuzua për gërmim.

Për Predrag Mirotiqin, i akuzuar për drejtimin e një prej automjeteve të përdorura në kryerjen e krimit, u përcaktua se pamjet e xhirimeve, për shkak të cilësisë së dobët, nuk mundësonin identifikimin e personit, automjetit ose targave.

As për Nikolla Milaçiqin nuk u vërtetua asnjë përfshirje, përveç pretendimit të Katarina Baçoviqit se ai e ndihmoi të merrte me qira një banesë në rrugën “Njegosheva”. Bazuar në atë dëshmi, gjykata pohon se nuk është e mundur të përcaktohet përgjegjësia penale.

Baçoviq u lirua, gjithashtu, nga akuza për falsifikim dokumentesh, sepse letërnjoftimi që thuhej se u falsifikua nuk u gjet kurrë. Ekziston vetëm një fotografi e imazhit nga biseda telefonike, “e cila nuk përbën një dokument publik në kuptimin ligjor”.

Gjykata liroi nga akuzat edhe Marijan Vuljajn, pasi nuk kishte prova se ai dinte për ndonjë vepër penale të kryer nga Baçoviq.

Gjykata vendosi se Veljko Markoviq, Millan Markoviq dhe Dejan Jovanoviq ishin në Mal të Zi, por provat nuk vërtetuan praninë e tyre në tunel, banesë apo depo.

Tuneli në qendër të kryeqytetit

Gjykata e Lartë ndodhet në qendër të Podgoricës.

Hapja e tunelit ndodhet gjithashtu pranë dhomës në ndërtesën e Gjykatës ku të pandehurit sillen dhe ndalohen para se të hyjnë në sallën e gjyqit.

Tuneli u gërmua gjatë gushtit 2023, gjatë festave kur shumica e punonjësve nuk ishin të pranishëm.

Pas zbulimit të tunelit, kryetari i Gjykatës së Lartë, Boris Saviq, deklaroi se nuk mungonte pothuajse asgjë, ndërsa kryeministri i atëhershëm, Dritan Abazoviq, pretendoi se mungonin disa armë dhe prova.

Më pas ai pretendoi se gërmimi i tunelit ishte i pamundur pa ndihmën brenda gjykatës, gjë të cilën Gjykata e hodhi poshtë, duke deklaruar se punonjësit nuk kishin autoritet ose trajnim për të siguruar ndërtesën.

Disa parti politike kanë akuzuar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Drejtorinë e Policisë për dështime në sigurinë.

Një vizitë e diskutueshme në depo
Rastësisht, vetëm tri ditë pasi u zbulua tuneli, kryeministri i atëhershëm i Malit të Zi, Dritan Abazoviq e shpalli çështjen të zgjidhur dhe përgëzoi shërbimet e sigurisë për këtë.

“Personalisht, nuk e prisja që gjithçka të zbulohej kaq shpejt. Urime policisë malazeze që përfundoi gjithçka në kohën e duhur”, tha Abazoviq në shtator 2023.

Pozicionin e ministrit të Policisë e mbante një anëtar i partisë së tij, Filip Axhiq.

Abazoviq, Axhiq dhe ministri i Drejtësisë, Marko Kovaq vizituan vendin e ngjarjes derisa hetimi ishte ende duke vazhduar.

Ekspertët mjeko-ligjorë paralajmëruan se një veprim i tillë mund të kontaminonte vendin e krimit dhe të rrezikonte provat.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregonin se ata po preknin objekte, edhe pse kjo ishte e ndaluar gjatë hetimit./REL