Gjykata Kushtetuese shpall të pavlefshëm tre paragrafë të një neni të Kodit Doganor dhe të Akcizave
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur të pavlefshëm paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247; dhe refuzoi kërkesën për masë të përkohshme. Kushtetuesja njoftoi se vendosi lidhur me kushtetutshmërinë e paragrafëve 2, 4, 5, 6 dhe 7 të…

Lajme
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur të pavlefshëm paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247; dhe refuzoi kërkesën për masë të përkohshme.
Kushtetuesja njoftoi se vendosi lidhur me kushtetutshmërinë e paragrafëve 2, 4, 5, 6 dhe 7 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave, bazuar në kërkesën e parashtruar nga Avokati i Popullit, bazuar në përcaktimet e nënparagrafit 1 të paragrafit 2 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Gjykata, ka vendosur njëzëri (i) të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe të konstatojë që: (ii) paragrafi 2 i nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247, nuk është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iii) që paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247 nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 6 i nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247 nuk është në përputhshmëri me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 7 i nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247, nuk është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (v) të shpallë njëzëri, të pavlefshëm paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Nr. 08/L-247; dhe (vi) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Në njoftimin e Kushtetueses thuhet se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me përmbajtjen e nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, sipas të cilit ndryshohet statusi i marrëdhënies së punës për pozitat drejtuese në Doganën e Kosovës, nga marrëdhënie pune me afat të pacaktuar në marrëdhënie me afat të caktuar dhe sipas të cilës dispozitë, cenohet siguria juridike, pritshmëritë legjitime dhe të drejtat e fituara të punonjësve në këto pozita në kundërshtim me Kushtetutën.
Aty thuhet se parashtruesi i kërkesës ka theksuar se neni 331 i Kodit të kontestuar është i ngjashëm me paragrafin 2 të nenit 99 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, i cili ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
Kurse, sipas Kushtetueses, pretendimet e parashtruesit të kërkesës, u kundërargumentuan nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, e cila në komentet e saj të dorëzuara në Gjykatë, theksoi se kufizimi i mandatit të pozitave drejtuese në Doganën e Kosovës nuk paraqet ndërhyrje në të drejtën e pronës, pasi sipas tyre vetë pozita nuk përbën të drejtë pronësore.
MFPT në komentet e sa jkishte theksuar se të drejtat ekonomike, përfshirë pagën, mbeten të paprekura edhe në rast të sistemimit në një pozitë tjetër me pagë të njëjtë. Prandaj, sipas kësaj Ministrie, përderisa nuk ka pasur kufizim në gëzimin paqësor të të drejtës së pronës, nuk mund të konstatohet shkelje e nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Andaj, Gjykata vlerësoi se paragrafi 2 i nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, i cili parasheh se pozitat drejtuese në Doganën e Kosovës do të kenë mandat të kufizuar 4-vjeçar, me mundësi vazhdimi, është në përputhje me Kushtetutën. Gjykata theksoi, se kjo dispozitë vlen vetëm për emërimet e reja pas hyrjes në fuqi të Kodit Doganor.
“Në kontekst të vlerësimit të përmbajtjes së paragrafëve 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Gjykata vlerësoi se (i) ndryshimi i statusit të funksionit nga marrëdhënia e punës me afat të pacaktuar në pozitë me afat të caktuar, mandati i të cilëve përfundon pas një periudhe kalimtare prej një (1) viti nga hyrja në fuqi e Kodit të kontestuar, sjell pasiguri për vazhdimësinë e marrëdhënies së punës; (ii) sipas paragrafit 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave, zbatimi i këtij ndryshimi përfshin edhe pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm, ndonëse ky i fundit përjashtohet në mënyrë eksplicite në paragrafin 4 të të njëjtit nen, duke krijuar paqartësi dhe mospërputhje të brendshme normative; dhe (iii) trajtimi që përcakton paragrafi 6 për zyrtarët që nuk rizgjidhen në pozitat drejtuese pas përfundimit të mandatit njëvjeçar, rezulton në një trajtim të diferencuar me pasoja të ndryshme juridike. Kështu, në njërën anë (kategoria e parë), stafi i Doganës të cilët kanë pasur një pozitë paraprake në Doganë sistemohen në një funksion më të ulët me ruajtje të vlerës së pagës, çka përbën degradim në pozitë me kompensim të njëjtë financiar“, thuhet më tej.
Sipas njoftimit, kategoria e dytë- stafi drejtues i Doganës që nuk kanë pasur një pozitë paraprake në Doganë, në rast të mosrizgjedhjes, e humbin vendin e punës.
Në këtë kontekst, Kushtetuesja vlerësoi se rregullimi i përcaktuar në paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 të Kodit të kontestuar, që ndërlidhet me ndryshimin e statusit të funksionit nga marrëdhënia e punës me afat të pacaktuar në pozitë me afat të caktuar, respektivisht përfundimin e mandatit pas një periudhe kalimtare prej një viti nga hyrja në fuqi e Kodit të kontestuar, nuk siguron mbrojtjen e mjaftueshme të të drejtave të fituara dhe krijon paqartësi juridike në raport me zbatimin e tij.
“Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.
Kurse, për kategorinë e parë të drejtuesve të Doganës – përkatësisht stafit të cilëve iu mundësohet rikthimi në pozitën paraprake brenda institucionit me ruajtjen e pagës– Gjykata konstatoi se dispozitat e paragrafit 6 të nenit 331 të Kodit Doganor dhe të Akcizave nuk paraqesin ndërhyrje në të drejtën e tyre për gëzimin paqësor të pronës, përkatësisht, neni 46 [Mbrojtja e Pronës] i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm për këtë kategori punonjësish.
Lidhur me paragrafin 6, Gjykata konstatoi se për kategorinë e dytë të drejtuesve në Doganë, përkatësisht individët që nuk kanë pasur një pozitë paraprake brenda këtij institucioni, mosrizgjedhja në pozitën drejtuese pas një viti nga hyrja në fuqi e Kodit Doganor dhe të Akcizave përbën ndërhyrje të pajustifikuar në të drejtën për gëzimin paqësor të pronës, të garantuar me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Aktgjykimi gjithashtu sqaron se në mungesë të ndonjë sistemi alternativ për këta drejtues apo garanci për ruajtjen e të ardhurave, ligji i kontestuar cenon pritshmëritë legjitime për vazhdimësinë e marrëdhënies së punës dhe përfitimeve që rrjedhin nga ajo, duke rezultuar në shkelje të standardeve kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të fituara. Si rrjedhojë, paragrafi 6 i nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor është në kundërshtim me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit Nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, njofton Kushtetuesja.
Në anën tjetër, lidhur me paragrafin 7 të nenit 331, Gjykata konstatoi se rregullimi ligjor i cili në rastin e mosvazhdimit të mandatit të stafit drejtues të Doganës, iu mundëson rikthimin në pozitën e tyre paraprake në Doganë në rast se kanë pasur një të tillë, është në përputhje me parimet kushtetuese të parashikueshmërisë dhe sigurisë juridike, si pjesë përbërëse e parimit të sundimit të ligjit.
“Si rrjedhojë, një rregullim i tillë ligjor i cili vlen për pozitat drejtuese të themeluara pas hyrjes në fuqi të Kodit Doganor dhe të Akcizave, përkon me standardet e parashikueshmërisë dhe sigurisë juridike, duke garantuar një trajtim të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për personat e prekur dhe duke siguruar respektimin e standardeve të sundimit të ligjit në Doganën e Kosovës. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi që paragrafi 7 i nenit 331 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Kodit Doganor dhe të Akcizave nuk është në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike dhe të sundimit të ligjit, siç është përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese. /BetimipërDrejtësi