Gjykata Kushtetuese konstaton shkelje të së drejtës për përdorimin e gjuhës amtare në procedurat tatimore dhe gjyqësore

 Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka publikuar aktgjykimin në rastin KI136/24, të parashtruar nga kompania “Zubin Potok” sh.p.k., duke konstatuar se në procedurat administrative dhe gjyqësore janë shkelur disa të drejta të parashtruesit lidhur me përdorimin e gjuhës amtare. Me gjashtë vota për dhe një kundër, Gjykata vendosi që kërkesa e…

Lajme

11/02/2026 15:15

 Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka publikuar aktgjykimin në rastin KI136/24, të parashtruar nga kompania “Zubin Potok” sh.p.k., duke konstatuar se në procedurat administrative dhe gjyqësore janë shkelur disa të drejta të parashtruesit lidhur me përdorimin e gjuhës amtare.

Me gjashtë vota për dhe një kundër, Gjykata vendosi që kërkesa e parashtruesit të jetë e pranueshme, duke konstatuar se gjatë procedurave pranë Administratës Tatimore të Kosovës dhe Gjykatës Komerciale është shkelur e drejta për përdorimin e gjuhës serbe, e garantuar me nenet 5 dhe 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata theksoi se procedurat tatimore dhe gjyqësore u zhvilluan në gjuhën shqipe, por kompania si person juridik, përmes përfaqësuesit të saj ligjor, nuk u njoftua për të drejtën për të marrë shkresat dhe vendimet në gjuhën e tij amtare. Ky konstatim lidhet direkt me parimin e kontradiktoritetit procedural dhe të drejtën për një proces të drejtë dhe të paanshëm, shkruan lajmi.net.

Gjykata gjithashtu refuzoi kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme, duke shtuar se shqyrtimi i padisë për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Administratës Tatimore do të vazhdojë në gjykatat e rregullta, ku do të sigurohet që parashtruesi të marrë çdo dokument në gjuhën serbe, përveç nëse ai heq dorë shprehimisht nga kjo e drejtë.

Rasti lidhet me kontestin e TVSH-së së zbritur dhe vlerësimin e qarkullimit shtesë për TVSH nga ATK-ja, çështje që ishte shqyrtuar nga Gjykata Komerciale dhe më pas nga Gjykata Supreme, ku të gjitha vendimet paraprake ishin refuzuar si të pabazuara. Gjykata Kushtetuese, duke u fokusuar në të drejtën për përdorim të gjuhës amtare, ka vendosur se kjo e drejtë duhet të respektohet në procedurat e mëtejshme.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese thekson rëndësinë e garantimit të të drejtave gjuhësore si pjesë të procesit të drejtë dhe të paanshëm për të gjithë qytetarët dhe personat juridikë në Kosovë. /Lajmi.net/