Gjykata Kushtetuese e konfirmon se pranuan ankesën e Listës Serbes për çështjen e nënkryetarit

Ngërçi politik e institucional në Kosovë duket se do të zgjasë shumë më shumë se sa kemi menduar. Pavarësisht se në Kuvendin e Kosovës u votua për Dimal Bashën si kryekuvendar, çështja e konstituimit të Kuvendit nuk ka përfunduar. Kjo pasi procesi tanimë ka ngecur në zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët…

Lajme

01/09/2025 11:23

Ngërçi politik e institucional në Kosovë duket se do të zgjasë shumë më shumë se sa kemi menduar.

Pavarësisht se në Kuvendin e Kosovës u votua për Dimal Bashën si kryekuvendar, çështja e konstituimit të Kuvendit nuk ka përfunduar.

Kjo pasi procesi tanimë ka ngecur në zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka konfirmuar për lajmi.net pranimin e ankesës së Listës Serbe në lidhje me çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

Lista Serbe ka dorëzuar ankesën në mënyrë elektronike me datë 30 gusht, saktësisht të shtunën.

Kjo u tha nga Gjykata Kushtetuese- duke mos u dhënë detaje shtesë se sa kohë do t’u nevojitet për shqyrtimin e kësaj ankese.

“Kërkesa e përfaqësuesve të Listës Serbe është dorëzuar në mënyrë elektronike në Gjykatë të shtunën, më 30 gusht 2025”,u tha në përgjigje.

Lista Serbe pati njoftuar publikisht se do të ankohen në lidhje me situatën e krijuar në Kuvend për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Në tri vazhdime të seancës, kandidatët e këtij komuniteti nuk arritën të siguronin 61 votat e nevojshme.

Sipas rregullores së punës së Kuvendit, seanca konstituive përfundon vetëm me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve.

Në nenin 67 të Kushtetutës thuhet se Kuvendi duhet të ketë kryetarin dhe pesë nënkryetarë.

Katër nënkryetarë – tre nga komuniteti shqiptar dhe një nga pakicat joserbe – u zgjodhën më 26 gusht, së bashku me kryetarin.

Ndërkohë, të nëntë kandidatët e Listës Serbe dhe kandidati i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dështuan të marrin votat e mjaftueshme.

Që nga 15 prilli janë bërë dhjetëra përpjekje për konstituimin e Kuvendit, por pa sukses, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Çështja ka përfunduar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy aktgjykime me afate dhe udhëzime për mënyrën e zhvillimit të procesit.

Afati i parë nuk u respektua, ndërsa i dyti përfundon më 18 shtator./Lajmi.net/