Gjykata ka vendosur, mandatari emërohet nga subjekti që ka më shumë deputetë në Kuvend

Gjykata Kushtetuese ka dhënë verdiktin se presidenti i shtetit mund ta caktojë mandatarin për kryeministër vetëm në konsultim me partinë ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend. 

Lajme

01/07/2014 10:58

Këtë e ka bërë të ditur për Kohën Ditore një burim i gazetës jashtë kësaj gjykate, sipas të cilit një e drejtë e këtillë nuk u njihet edhe koalicioneve paszgjedhore.

Kushtetuesja ka vendosur të hënën për rastin e parashtruar nga presidentja Atifete Jahjaga, përkitazi me vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 84 me nenin 95 të Kushtetutës, që i referohen mandatarit të Qeverisë.

Kushtetuesja e ka kumtuar këtë lajm, por nuk ka treguar se cila është përgjigjja që ka dhënë në pyetje.

Në njoftimin adresuar medieve vetëm është thënë se gjykata do ta publikojë vendimin në ditët në vijim.

Gazeta ka kontaktuar edhe një burim brenda Kushtetueses, por ai ka refuzuar të flasë për përmbajtjen e verdiktit.

Ai ka thënë se përmbajtja e vërdiktit do të publikohet të martën, ose më së largu të mërkurën.

“Janë spekulime këto që kanë raportuar mediat. Teksti është shumë më i strukturuar, do ta shihni nesër dhe nuk besoj se do të ketë jurist serioz që do ta kontestojë në ndonjë pikë”, ka thënë ky burim.

Ky burim ka thënë po ashtu se është i gabuar vlerësimi se Gjykata është ngutur për të dalë me vendim përpara certifikimit të rezultateve.

“Gjykata nuk e ka interpretuar rezultatin e zgjedhjeve, sepse nuk është punë e saj por nenet e Kushtetutës. Neve nuk na intereson certifikimi, as kush e ka fituar shumicën, as kush ka dalë i pesti, i gjashti apo i shtati”.

Ky burim ka bërë të ditur se pro vendimit që ka marrë Gjykata kanë qenë gjashtë gjyqtar, ndërsa një ka votuar kundër.