Gjykata ia cakton 1 muaj paraburgim të dyshuarit për vrasje të rëndë në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit E.B., i cili dyshohet për vrasjen e rëndë të ndodhur më 10 gusht në lagjen “Tusus” të Prizrenit. Vendimi u mor nga gjyqtari i procedurës Artan Sejrani, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore, e cila…

Lajme

12/08/2025 13:45

Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit E.B., i cili dyshohet për vrasjen e rëndë të ndodhur më 10 gusht në lagjen “Tusus” të Prizrenit.

Vendimi u mor nga gjyqtari i procedurës Artan Sejrani, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore, e cila argumentoi se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë” sipas nenit 173 të Kodit Penal, si dhe “mbajtje në pronësi apo posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366, raporton lajmi.net

Sipas aktakuzës paraprake, më datë 10 gusht 2025, rreth orës 20:30, në rrugën “Lapidari” të lagjes “Tusus”, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme me viktimën H.Sh., i dyshuari E.B. fillimisht kishte nxitur përleshjen mes qenve të tyre. Pas një debati të shkurtër verbal, ai dyshohet se papritur ka nxjerrë një thikë të llojit “patent” me ngjyrë të zezë dhe e ka goditur viktimën në gjoks. Viktima u dërgua fillimisht në emergjencën e Spitalit “Daut Mustafa” në Prizren, e më pas në QKUK në Prishtinë, ku ndërroi jetë nga plagët e marra.

Gjykata thekson se i pandehuri ishte në arrati pas ngjarjes dhe është arrestuar vetëm pas kërkimit aktiv nga Policia e Kosovës. Për këtë arsye, u vlerësua se ekziston rreziku i ikjes së tij nga drejtësia nëse lihet i lirë, si dhe mundësia për të ndikuar në dëshmitarë apo për të penguar hetimet.

Gjykata gjithashtu mori në konsideratë rrethanat e ngjarjes, mënyrën se si dyshohet të jetë kryer vepra penale, si dhe faktin se i pandehuri dhe viktima kishin njohje të mëparshme, gjë që i jep krimit një dimension edhe më të rëndë.

Paraburgimi do të zgjasë deri më 11 shtator 2025, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë./Lajmi.net/