Gjykata e Tiranës zhbllokon VIA-n, Pacolli thirrje institucioneve për zbatim të vendimit
Ish-presidenti i Kosovës dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se Gjykata e Tiranës ka vendosur heqjen e masës kufizuese ndaj kompanisë VIA, duke i rikthyer të drejtën e plotë të administrimit ortakut mazhoritar MABCO. Në një reagim publik, Pacolli e ka cilësuar vendimin si “fitore të drejtësisë”, duke theksuar se gjykata ka zëvendësuar…
Lajme
Ish-presidenti i Kosovës dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se Gjykata e Tiranës ka vendosur heqjen e masës kufizuese ndaj kompanisë VIA, duke i rikthyer të drejtën e plotë të administrimit ortakut mazhoritar MABCO.
Në një reagim publik, Pacolli e ka cilësuar vendimin si “fitore të drejtësisë”, duke theksuar se gjykata ka zëvendësuar masën e sigurimit të datës 5 qershor 2026 dhe ka hequr çdo kufizim mbi administrimin e shoqërisë.
Sipas tij, vendimi mbështetet edhe në arsyetimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë, e cila kishte njohur të drejtën e MABCO-s për administrimin e kompanisë dhe ushtrimin e plotë të kompetencave si ortak mazhoritar.
Pacolli pretendon se masat e mëhershme kufizuese ndaj kompanisë kanë qenë të paligjshme dhe kanë penguar zhvillimin e projektit, përfshirë edhe bllokimin e aksesit në aeroport për një periudhë disa mujore. Ai shton se kjo situatë ka ndikuar negativisht në punën e nënkontraktorëve dhe ka vonuar përfundimin e punimeve.
Në reagimin e tij, Pacolli ka shprehur mirënjohje për Gjykatën e Tiranës dhe ekipin ligjor “Halimi & Ahmetaj”, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore, përfshirë Ministrinë, Avokaturën e Shtetit dhe Policinë, që të zbatojnë vendimet gjyqësore dhe të garantojnë aksesin e plotë të MABCO-s, punonjësve dhe nënkontraktorëve në kantier.
“Ne synojmë të angazhohemi sa më parë për hapjen e aeroportit, në interes të Shqipërisë dhe qytetarëve,” është shprehur Pacolli. /Lajmi.net/