Gjykata e Prizrenit refuzon kërkesën për paraburgim ndaj zyrtares komunale, i cakton arrest shtëpiak

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtares së Komunës së Prizrenit, Shpresa Osmanollaj, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Ndalimi i saj është bërë pas transmetimi të hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” me titull “Loja me…

Lajme

21/06/2025 15:08

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtares së Komunës së Prizrenit, Shpresa Osmanollaj, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndalimi i saj është bërë pas transmetimi të hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” me titull “Loja me numra për fitimin e lejeve ndërtimore”.

Prokuroria Themelore në Prizren kishte paraqitur të premten kërkesë në Gjykatën Themelore të këtij qyteti për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh zyrtare komunale.

Zyrtarja e Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Shpresa Osmanollaj ishte ndaluar të enjten për 48 orë me aktvendim të Prokurorisë Themelore në Prizren.

Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, gjykata ka vendosur që ndaj të pandehurës të caktohet masa e arresti shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, duke filluar nga data 19 qershor deri më 19 korrik 2025.

Osmanollaj, zyrtare e lartë në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, në kundërshtim me nenin 414 të Kodit Penal, në dy raste të ndara dhe në rrethana të ndryshme.

Prokuroria pretendoi se e pandehura paraqet rrezik të ikjes, pasi ka lidhje familjare jashtë Kosovës, si dhe rrezik të ndikimit në bashkëpandehurit tjerë, për të cilët gjithashtu është urdhëruar fillimi i hetimeve. Po ashtu, u theksua se ndaj saj ekziston edhe një aktakuzë e ngritur për të njëjtën vepër penale në një rast tjetër.

Megjithatë, gjykata nuk e vlerësoi si të bazuar kërkesën për paraburgim dhe vendosi që masa më e lehtë, arresti shtëpiak, është e mjaftueshme për të siguruar praninë e të pandehurës gjatë hetimeve.

Me vendim të gjykatës, Osmanollaj nuk guxon të largohet nga shtëpia e saj në Prizren dhe nuk lejohet të ketë kontakte me persona me të cilët nuk jeton apo që nuk varen prej saj.

Gjykata ka obliguar Stacionin Policor të Prizrenit që të zbatojë dhe mbikëqyr këtë masë, duke njoftuar menjëherë gjykatën në rast të ndonjë shkeljeje.

“Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi”, thuhet në dokumentin zyrtar të datës 21 qershor 2025.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se Osmanollaj ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Hulumtimi i realizaur nga “Betimi për Drejtësi” ngrit dyshimet se Osmanollaj si zyrtare e Urbanizmit, kundërligjshëm kishte lëshuar lejen ndërtimore për objektin banesor “Lirimi 2” me një parcelë e cila ishte shfrytëzuar për kushtet teknike dhe lejen ndërtimore të objektit banesor “Lirimi 1”.

Në një përgjigje të dhënë përmes telefonit, Osmanollaj kishte mohuar se ishte shfrytëzuar parcela e njëjtë për të dy lejet ndërtimore, duke deklaruar se e para ishte lëshuar me Ligjin për Ndërtim, ndërsa leja e dytë me Hartën Zonale të Prizrenit.

Mirëpo, veprimet e Osmanollajt nuk kishin përfunduar vetëm me lëshimin e lejes ndërtimore.

Ajo kishte lëshuar certifikatën për përdorimin e objektit “Lirimi 1”, përkundër se objekti kishte pasur tejkalim të lejes ndërtimore, duke ndërtuar dhe një penthouse.

Madje, për këtë ndërtim pa leje, Drejtoria e Inspektorateve kishte ushtruar kallëzim penal në prokurori shtatë muaj para se Osmanollaj t’i lëshonte certifikatën e përdorimit.

Në anën tjetër, Osmanollaj aktualisht është nën hetime nga Prokuroria Themelore në Prizren edhe për lëshimin e lejes ndërtimore të objektit banesor dhe afarist “Albanica Home”, me pasi të njëjtit i kishte mundësuar ndërtimin e dy kateve më shumë sesa parashihen me Hartën Zonale.

Kësisoj, duke i mundësuar fitim milionësh, vëllait të shefit të kabinetit të kabinetit të kryetarit të komunës, Nehat Elshani, Albert Elshanit.

Për këtë, prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi” ka deklaruar se janë në pritje të ekspertizës./ Betimi për Drejtësi