Gjykata e Apelit redukton orarin e punës për shkak të temperaturave të larta në Pallatin e Drejtësisë

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur të reduktojë orarin e punës si masë përballë temperaturave të larta në Pallatin e Drejtësisë. Vendimi është marrë nga kryetari i kësaj gjykate, Valon Totaj, në bazë të autorizimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të dhënë me vendimin Nr.261/2025 të datës 27 qershor 2025, i cili u lejon…

Lajme

02/07/2025 16:10

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur të reduktojë orarin e punës si masë përballë temperaturave të larta në Pallatin e Drejtësisë.

Vendimi është marrë nga kryetari i kësaj gjykate, Valon Totaj, në bazë të autorizimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të dhënë me vendimin Nr.261/2025 të datës 27 qershor 2025, i cili u lejon kryetarëve të disa prej gjykatave kryesore të vendit të vlerësojnë kushtet e punës dhe të marrin masa për reduktimin apo pezullimin e punës, nëse situata e kërkon.

Sipas njoftimit, gjyqtarët dhe stafi mbështetës në Gjykatën e Apelit janë liruar nga puna pas mesditës, derisa masat do të rishikohen në vazhdimësi, varësisht nga kushtet klimatike dhe ndërhyrjet për sanimin e problemit nga organet përgjegjëse.

Edhe Gjykata Komerciale ka njoftuar se puna do të vazhdojë me orar të reduktuar nga ora 08:00 deri në orën 14:00, për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së sistemit funksional të klimatizimit.

Sikurse, edhe Gjykata Supreme ka vendosur të reduktojë orarin e punës për shkak të temperaturave të larta në Pallatin e Drejtësisë.

E para që kishte marrë vendim për reduktim të orarit të punës ishte Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 qershor 2025, duke u pasuar më pas nga Gjykata Supreme, Gjykata Komerciale dhe sot Gjykata e Apelit./BetimipërDrejtësi