Gjykata arsyeton pse Egzon Shallki u dënua me 25 vjet burgim e jo me burgim të përjetshëm

Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me 25 vjet burgim Egzon Shallkin, i akuzuar për vrasjen e Auron Ferizit, i cili vdiq më 10 shtator 2025, pas plagëve të marra nga goditja me veturë në Viti. Sipas aktgjykimit, ngjarja kishte ndodhur më 8 shtator 2025, në sheshin “Bafti Haxhiu”, në rrugën “Hasan Kabashi” në…

Lajme

20/10/2026 15:35

Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me 25 vjet burgim Egzon Shallkin, i akuzuar për vrasjen e Auron Ferizit, i cili vdiq më 10 shtator 2025, pas plagëve të marra nga goditja me veturë në Viti.

Sipas aktgjykimit, ngjarja kishte ndodhur më 8 shtator 2025, në sheshin “Bafti Haxhiu”, në rrugën “Hasan Kabashi” në Viti, ku Shallki, duke drejtuar veturën, kishte goditur një grup personash që po qëndronin në një tavolinë, transmeton lajmi.net.

Si pasojë e goditjes, disa persona kishin pësuar lëndime trupore, ndërsa Auron Ferizi, pas transferimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kishte ndërruar jetë dy ditë më vonë.

Gjykata ka bërë të ditur se i akuzuari e kishte kryer veprën penale në gjendje të “aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore”.

Për këtë arsye, trupi gjykues ka vlerësuar se, pavarësisht rrethanave rënduese dhe lehtësuese të rastit, nuk mund t’i shqiptohet dënimi me burgim të përjetshëm.

“Trupi gjykues me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit ka marrë parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese dhe ka përcaktuar dënimin me burgim prej 25 vitesh e jo dënimin me burgim të përjetshëm”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas arsyetimit të gjykatës, kjo është në përputhje me nenin 41, paragrafin 3, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili përcakton se burgimi i përjetshëm nuk mund t’i shqiptohet një personi që, në kohën e kryerjes së veprës penale, nuk i kishte mbushur 21 vjet ose kishte pasur aftësi esencialisht të zvogëluar mendore.

Përveç dënimit me burgim, ndaj Shallkit është shqiptuar edhe dënimi plotësues, marrja e lejes së vozitjes për pesë vjet.

“Leja e vozitjes merret kur ky aktgjykim të marrë formën e prerë, ndërsa koha e mbajtur në burg nuk llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi”, thuhet në aktgjykim.

Gjykata ka bërë të ditur gjithashtu se ndaj të akuzuarit do të vazhdojë masa e paraburgimit deri në marrjen e formës së prerë të aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të tij në formë të shkruar./lajmi.net/