“Gjurmët” e Prishtinës në Tiranë!

Tirana priti dje një copë Prishtinë! Një Prishtinë “të vjetër” huazuar nga vitet ’80 – të dhe një Prishtinë të re, ajo që është sot. Një miksim sharmi, tendence, shprese dhe qytetarie që për fatin tonë të keq, Tirana e ka humbur ose mbase s’e ka pasur kurrë.

Opinion

31/12/2015 01:24

“Gjurmët”, një grup rroku i Kosovës i njohur dhe i famshën në vitet ’80 – të u rikthye në skenën e Pallatit të Kongresve pas thuajse 30 vitesh. Më i njohuri ndër ta, Migjen Kelmendi, një shkrimtar dhe publicist i njohur. “Gjurmët” arriti dje të ndezë një sallë që zakonisht përgjigjet ngurtë dhe më ngërç në eventet e tjera. Një sallë që niste me të rinjtë e dikurshëm, bashkëkohës të grupit dhe deri tek të rinjtë e sotëm, që u bashkuan në një kor me këngën hit: “Tren për Prizren”!

Në fakt më shumë se sa muzika, eventi i djeshëm shërbeu si një pasqyrë ku Shqipëria dhe Kosova panë vetën. Pa e zgjatur dhe pa hyrë në analiza të shumta, dje mund të shihje se sa më të thjeshtë, por të veshur më bukur ishin të rinjtë e Kosovës në dallim nga të rinjtë tanë. Se sa pak vanitet kishte midis tyre.

Se si njerëzit e ardhur në sallë kishin realisht lidhje me muzikën dhe nuk e shihnin eventin si një pasarelë ku shpalosin veshjet e tyre të shtrenjta veç në fillim dhe në fund të tij.

Se sa më të drejtëpërdrejtë dhe më pak të kompleksuar ishin në sallë gjatë koncertit.

Sa sa i sjellshëm dhe qytetar ishte dje ai publik. Duke nisur që nga përcjellja e këngëve e deri tek duartrokitjet ndaj këngëtarëve.

Se sa i avancuar ka qenë arti dhe muzika në Kosovë në vitet ’80 – të në një kohë që tek ne, çdo lloj ritmi ishte i ndaluar dhe këngëtarët qëndronin si statuja antike përballë një mikrofoni në këmbë si lejlek.

Së fundmi, dje mund të shërbente për të parë se gjithçka ne kemi marrë dhe imituar në muzikën tonë ka qenë ndikimi italian. Ndërkohë që Kosova dukej më e hapur ndaj rrymave më në modë muzikore.

“Gjumët” erdhi dje në Tiranë. Në një sallë që për herë të parë ishte mbushur përgjysëm midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Erdhi thjeshtë sikur të donte të bashkonte dy kohë që i kemi pasur kaq të ndryshme, por që në thelb kemi nevojë t’ja njohim njëri tjetrit. Faleminderit “Gjurmë” për atë Kosovë që sollët dhe na falni që veç muzikës së mrekullueshme qytetare kemi kaq pak për t’ju treguar nga muzika jonë e lehtë. Por të tilla ishin kohët. Dhe e fundit, faleminderit që na bashkuat. Qoftë edhe për 120 minuta! /Opinion.al