Gjuriq e quan ‘lojë të rrezikshme të Kosovës’ ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, kërkon reagimin e Brukselit

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka reaguar rreth ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë.

Lajme

24/08/2020 10:50

“Faltoret serbe në Kosovë kurrë nuk do të jenë asgjë tjetër përveçse serbe. Kjo nuk është aspak një temë për diskutim. Pyetja është se sa individë të papërgjegjshëm në Prishtinë janë të gatshëm të shkojnë larg, duke marrë peng kishat dhe manastiret tona, në mënyrë që të përpiqen të zhvatin diçka nga Beogradi në atë mënyrë”.

Kështu ka thënë për gazetën beogradase “Novosti”, drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Marko Gjuriq, duke iu referuar zhvillimeve të fundit rreth ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë.

“Ata janë të gatshëm të shkelin ligjet e tyre në atë lojë të rrezikshme, dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të thotë fjalën e fundit në emër të vlerave të saj”.

“Si një popull përgjegjës, ne do të marrim masa për të mbrojtur trashëgiminë tonë, edhe për Presidentin Aleksandar Vuçiq kjo është një përparësi”, ka thënë ai./kk