Gjuajtje me armë në mes dy grupeve nga vetura- si ndodhi mbrëmë vrasja në tentativë në Gjilan?

Policia e Kosovës është deklaruar edhe një herë në lidhje me vrasjen në tentativë mbrëmë në Gjilan. Policia njoftoi se dy personat e përfshirë në rast tanimë janë arrestuar. Si fillim është raportuar për shkëmbim zjarri në mes dy grupeve nga vetura, ku i plagosur ka mbetur një mashkull i cili është dërguar më pas…

Lajme

05/02/2026 09:30

Policia e Kosovës është deklaruar edhe një herë në lidhje me vrasjen në tentativë mbrëmë në Gjilan.

Policia njoftoi se dy personat e përfshirë në rast tanimë janë arrestuar.

Si fillim është raportuar për shkëmbim zjarri në mes dy grupeve nga vetura, ku i plagosur ka mbetur një mashkull i cili është dërguar më pas në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.

Njësitet e hetuesisë kanë arritur që të identifikojnë tre persona të dyshuar meshkuj kosovarë, ku dy prej tyre janë arrestuar dhe nga ta janë konfiskuar; 7 gëzhoja të kalibrit 9mm, dy karikatorë me 18 fishekë të kalibrit 7.62 mm, celularë dhe dy vetura.

Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit pas intervistimit dërgohen në mbajtje.

Personi i moshës rreth 40 vjeç i cili u plagos mbrëmë rreth orës 18:00 në rrugën Gjilan–Kamenicë, në afërsi të një pike të karburantit, është operuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Drejtori i Klinikës Emergjente të QKUK-së, Naser Syla i tha Lajmi.net se i plagosuri është futur në sallën e operacionit për operim.

“Gjendje e rëndë, por stabile për momentin, jonë kry egzaminimët e nevojshme si dhe intervenimi operativ në sallën e QE, nga ekipet e ortopedisë dhe k. vaskulare, është transferu në MIQ për trajtim të mëtutjeshëm”, tha Syla për lajmi.net.

Gjithashtu mbrëmë Policia e Gjilanit ka aktivizuar “Unazën e çeliktë” për kapjen e personave përfshirë në rastin e plagosjes së një 40-vjeçari.

Aksionin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ku tha se Policia ishte në kërkim të të dyshuarit.

Plagosja ndodhi në afërsi të një pike karburanti në rrugën Gjilan-Kamenicë, ndërsa gjendja e 40-vjeçarit u raportua si e rëndë./Lajmi.net/