Gjobitet instruktorja e auto-shkollës në Ferizaj pasi kandidatja përdori telefonin gjatë vozitjes

Një instruktore e auto-shkollës në Ferizaj është ndëshkuar nga Policia Rajonale pasi kandidatja që po trajnohej nën mbikëqyrjen e saj u kap duke përdorur telefonin celular gjatë vozitjes. Rasti ndodhi në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, ku patrulla e Njësisë së Komunikacionit Rrugor ndaloi një automjet të auto–shkollës, i cili po drejtohej nga kandidatja G.H.,…

Lajme

21/10/2025 09:20

Një instruktore e auto-shkollës në Ferizaj është ndëshkuar nga Policia Rajonale pasi kandidatja që po trajnohej nën mbikëqyrjen e saj u kap duke përdorur telefonin celular gjatë vozitjes.

Rasti ndodhi në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, ku patrulla e Njësisë së Komunikacionit Rrugor ndaloi një automjet të auto–shkollës, i cili po drejtohej nga kandidatja G.H., nën mbikëqyrjen e instruktore­s N.S., 51 vjeçe.

Sipas Policisë, kandidatja është kapur në flagrancë duke përdorur telefonin gjatë ngasjes – një kundërvajtje sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, neni 54, paragrafi 2.

Meqë instrukturja konsiderohet përgjegjëse për veprimet e kandidatit gjatë ushtrimeve, ndaj saj është shqiptuar gjobë në vlerë prej 200 euro, me dy pikë negative dhe ndalim të drejtimit të automjetit për tre muaj, në përputhje me nenin 231, paragrafi 9.2 të Ligjit Nr. 08/L-186.

Policia bëri të ditur se kjo nuk është hera e parë që instrukturja është evidentuar për përdorim të telefonit gjatë drejtimit të mjetit.

“Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjitha auto–shkollat dhe instruktorët e tyre që gjatë procesit të trajnimit të kandidatëve të respektojnë me përpikëri rregullat e trafikut, në mënyrë që të garantohet siguria e pjesëmarrësve në komunikacion,” thuhet në njoftim.