​Gjobat ndaj partive do të ndalen në mjete financiare

Komisioni Qendror Zgjedhor sot mori vendim për lirimin e mbi 3 mijë kutive të votimit, në të cilat ndodhet materiali zgjedhor nga procese të ndryshme zgjedhore 2014 – 2021. Materiali zgjedhor në këto kuti, të cilat janë objekt i hetimit nga institucionet e drejtësisë, do të vendosen në thasë të veçantë nga një komision i…

Lajme

21/05/2025 15:48

Komisioni Qendror Zgjedhor sot mori vendim për lirimin e mbi 3 mijë kutive të votimit, në të cilat ndodhet materiali zgjedhor nga procese të ndryshme zgjedhore 2014 – 2021.

Materiali zgjedhor në këto kuti, të cilat janë objekt i hetimit nga institucionet e drejtësisë, do të vendosen në thasë të veçantë nga një komision i përkohshëm dhe sipas procedurës së caktuar.

Zbatimi i këtij vendimi do të lirojë edhe hapësirën e depos së Komisionit Qendror Zgjedhor me qëllim të përgatitjeve të zgjedhjeve lokale këtë vit.

Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala tha se shkak i hapësirës se kufizuar dhe nevojën e lirimit të hapësirë për zgjedhje lokale këto fletëvotime vendosen në thasë të veçantë.

“Këto kuti janë në objekt të institucioneve të drejtësisë, 3 mijë e 200 kuti të votimit që i kemi konfirmuar dhe i përkasin proceseve zgjedhore 2014-2024. Duke pasur parasysh hapësirën e kufizuar dhe nevojën për lirimin e hapësirës për zgjedhjet lokale, na mundëson që t’i shfrytëzojmë për zgjedhjet lokale 2025. Këto materiale të futen në thasë të posaçëm”, tha Buzhala.

Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor Arianit Elshani nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës kërkoi vetëm që organet e drejtësisë të njoftohen për largimin e tyre dhe të jenë nën vëzhgimin e tyre.

“Lidhur me këtë çështje kërkoj që të vendosen në thasë secili material, si dhe të njoftohen organet e drejtësisë dhe t’u kërkohet atyre t’i marrin ato materiale”, tha Elshani.

Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se duhet të jetë një procedurë e saktë se si do lirohen këto kuti dhe në çfarë lloj thasësh.

“Duhet të jetë një procedurë e saktë si të lirohen kutitë dhe në çfarë lloj thasësh. Me rëndësi të jenë të sigurta, ato duhet të vendosen në ambiente ku nuk i kap lagështia dhe nuk rrezikohen. Të fillojë pastrimi i tyre”, tha Krasniqi.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim edhe për ndalimin e mjeteve për subjektet politike parlamentare ndaj të cilave Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar gjoba gjatë fushatës së zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025.

Mjetet e ndaluara nga Fondi për mbështetje të subjekteve politike do të transferohen në xhirollogarinë e PZAP-it.

Buzhala tha se Zyra për regjistrim dhe certifikim rekomandon Komisionin Qendror Zgjedhor që këto gjoba të ndalen në mjete financiare në dy periudha kohore. Ai tha se deri më tani vetëm Partia Demokratike e Kosovës ka paguar një gjobë.

“Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, Paneli Zgjedhor ka shqyrtuar gjoba për partitë politike. Zyra për regjistrim përmes komunikimit zyrtar me PZAP ka siguruar shumat e gjobave të subjekteve politike, të cilat nuk janë paguar përveç një pjese e gjobës është paguar nga PDK-ja. Zyra duke pasur parasysh edhe funksionimin rekomandon KQZ që këto gjoba të ndalen në mjete financiare në 2-3 mujorët që përfshinë periudhën prill-qershor të këtij viti, të ndahet gjysmë e gjobës dhe korrik gusht shtator të ndahet pjesa tjetër e mbetur, për LVV, PDK, LDK dhe koalicioni AAK-NISMA”, tha Buzhala.

Ndërsa rreth certifikimit të partive politike për zgjedhjet lokale u tha se kjo do të bëhet në fund të gushtit apo fillim të shtatorit.

Gjatë fushatës zgjedhore të 9 shkurtit, PZAP ka shqiptuar gjoba ndaj partive politike në vlerë prej 651 mijë e 100 eurove, prej të cilave deri më tash janë paguar vetëm 104 mijë e 500 euro, sipas të dhënave të PZAP-it në ueb sajtin e saj zyrtar.