Gjini uron deputetët e legjislaturës së re: Ky mandat është përgjegjësi ndaj qytetarëve

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka uruar deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se mandati i tyre përfaqëson një përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gjini u ka uruar punë të mbarë të gjithë deputetëve, ndërsa theks të veçantë ka vendosur te…

Lajme

06/08/2026 10:23

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka uruar deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se mandati i tyre përfaqëson një përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gjini u ka uruar punë të mbarë të gjithë deputetëve, ndërsa theks të veçantë ka vendosur te grupi parlamentar i Aleancës.

“Punë të mbarë dhe shumë suksese të gjithë deputetëve të Kuvendit në seancën e sotme konstituive, e në veçanti grupit tonë të deputetëve të Aleancës! Ky mandat është një përgjegjësi e madhe ndaj secilit qytetar që na ka besuar”, ka shkruar Gjini.

Ai ka thënë se është i bindur që deputetët e Aleancës do të jenë, siç është shprehur ai, zë i fuqishëm për zhvillim dhe stabilitet gjatë kësaj legjislature.

“Jam plotësisht i bindur se ekipi i Aleancës do të jetë zëri më i fuqishëm i arsyes, zhvillimit dhe stabilitetit në këtë legjislaturë”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka shtuar se qëndrimi i Aleancës do të vazhdojë të jetë i qartë dhe transparent.

“Qëndrimi ynë si Aleancë ka qenë dhe mbetet plotësisht i qartë dhe transparent. Suksese të gjithëve dhe ju priftë e mbara”, ka shkruar Gjini. /Lajmi.net/