Gjini reagon pas arrestimit të zyrtarëve komunalë në Gjakovë: Arrestim i panevojshëm, kërkoj sqarime konkrete nga Prokuroria
Pas arrestimit të katër zyrtarëve komunalë në Gjakovë, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin e parcelizimit dhe bartjes së pronave pa dijeninë e pronarëve legjitimë, ka reaguar kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. Në një postim në Facebook, Gjini është shprehur i befasuar nga veprimi i hetuesve dhe ka theksuar se…

Lajme
Pas arrestimit të katër zyrtarëve komunalë në Gjakovë, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin e parcelizimit dhe bartjes së pronave pa dijeninë e pronarëve legjitimë, ka reaguar kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.
Në një postim në Facebook, Gjini është shprehur i befasuar nga veprimi i hetuesve dhe ka theksuar se arrestimi ishte i panevojshëm, duke shtuar se kjo ngjarje ka shkaktuar shqetësim si brenda institucionit, ashtu edhe në publik, transmeton lajmi.net
Gjini ka shprehur bindjen e tij në ndershmërinë dhe profesionalizmin e kolegëve dhe ish-kolegëve të tij, duke kërkuar nga Prokuroria që të dalë me sqarime konkrete rreth akuzave dhe të shmangë formulimet e përgjithshme.
Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, veçanërisht në periudha të ndjeshme politike.
Postimi i plotë i Gjinit:
“Jam sinqerisht i befasuar me arrestimin e ish-kolegëve dhe kolegëve të mi. E shoh këtë arrestim si plotësisht të panevojshëm derisa kjo ngjarje ka shkaktuar shqetësim të kuptueshëm – si brenda institucionit, ashtu edhe në opinionin publik.
Jam i bindur në ndershmërinë dhe profesionalizmin e kolegëve dhe ish-kolegëve të mi. Prandaj, besoj se është e domosdoshme që Prokuroria të sqarojë qartë dhe publikisht për çfarë konkretisht po akuzohen ata – jo me terma të përgjithshëm si “shpërdorim detyre”, por me fakte konkrete. Qytetarët kanë të drejtë të informohen drejt, sidomos në një periudhë kaq të ndjeshme si kjo para zgjedhjeve.
Gjithmonë kam besuar dhe besoj në drejtësi. Por është detyrë edhe e organeve të drejtësisë që ta mbrojnë sistemin nga çfarëdo ndërhyrje që e cenon besimin e qytetarëve në vet atë sistem.
Të gjithë duhet t’i nënshtrohen sundimit të ligjit, e ligji duhet të jetë i drejtë”./Lajmi.net/