Gjini: Qëndrimi i Aleancës ndaj bllokadës është plotësisht i drejtë, Avni Arifi caktohet koordinator

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se bllokada institucionale dhe seanca e sotme dëshmuan se qëndrimi i Aleancës për të mos u bërë pjesë e shkeljeve të Kushtetutës është i drejtë. Gjini ka deklaruar se Aleanca mbetet e palëkundur në qëndrimet e saj dhe…

Lajme

09/09/2026 21:12

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se bllokada institucionale dhe seanca e sotme dëshmuan se qëndrimi i Aleancës për të mos u bërë pjesë e shkeljeve të Kushtetutës është i drejtë.

Gjini ka deklaruar se Aleanca mbetet e palëkundur në qëndrimet e saj dhe se vazhdon koordinimin me strukturat e partisë dhe qytetarët në terren.

“Bllokada që partia e parë e dalë nga zgjedhjet po i bën shtetit, dhe seanca e sotme dëshmuan më së miri se qëndrimi ynë për të mos u bërë pjesë e këtyre shkeljeve të vazhdueshme të Kushtetutës është plotësisht i drejtë”, ka shkruar Gjini.

Ai ka bërë të ditur se për zhvillimet e fundit është diskutuar edhe në takimin e rregullt të Kolegjiumit të Drejtorëve.

“Si Aleancë, jemi plotësisht të palëkundur në qëndrimet tona, që nga dita e parë kur dolëm me ofertën tonë për qytetarët”, ka theksuar ai.

Në kuadër të këtij takimi, sipas Gjinit, është marrë vendim që Sekretari i Përgjithshëm, Avni Arifi, të caktohet edhe në rolin e Koordinatorit, me përgjegjësi për udhëheqjen e takimeve të rregullta strukturore.

Sipas Gjinit, qëllimi i këtij koordinimi është shkëmbimi i përvojave dhe jetësimi i politikave të reja zhvillimore të Aleancës.

Ndërkohë, ai ka thënë se krahas takimeve me strukturat partiake, Aleanca po vazhdon angazhimin e përditshëm në terren përmes takimeve me qytetarët, me synim prezantimin e qëndrimeve të saj për zhvillimet aktuale në vend.