Gjini kërkon dorëheqjen e dy ministrave pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Masa minimale që duhej të ndërmerrej

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kërkuar përgjegjësi institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke vlerësuar se dorëheqja e dy ministrave do të ishte masa minimale që duhej të ndërmerrej pas kësaj ngjarjeje. Duke folur në emisionin “Forum” në DTV, Gjini e ka cilësuar rastin si tronditës, duke theksuar se Arlinda kishte kërkuar ndihmë, por…

Lajme

29/10/2026 21:10

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kërkuar përgjegjësi institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke vlerësuar se dorëheqja e dy ministrave do të ishte masa minimale që duhej të ndërmerrej pas kësaj ngjarjeje.

Duke folur në emisionin “Forum” në DTV, Gjini e ka cilësuar rastin si tronditës, duke theksuar se Arlinda kishte kërkuar ndihmë, por institucionet nuk kishin reaguar siç duhej, transmeton lajmi.net.

“Ky rast e ka shkund Kosovën, është një rast makabër. Arlinda kishte kërkuar ndihmë, ndihmë që ka munguar. Nëse nuk ka reaguar policia, kujt t’i drejtohemi? Nëse prokuroria nuk ka reaguar, kujt t’i drejtohemi?”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka thënë se përgjegjësia politike duhet të jetë pjesë e reagimit institucional ndaj rastit, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla Schwarz.

“Gjëja më e vogël që kish mujt me ndodhë është me u dorëheqë dy ministrat. Në vende të tjera dorëhiqen edhe për gjëra shumë më të vogla”, ka theksuar ai.

Gjini ka bërë të ditur gjithashtu se AAK-ja i mbështet protestat e organizuara pas vrasjes së Zekajt, duke shtuar se në to po marrin pjesë edhe shumë anëtarë të partisë.

Kërkesat për llogaridhënie dhe përgjegjësi institucionale janë shtuar pas rastit të Arlinda Zekajt, ndërsa protestuesit po kërkojnë që institucionet të sqarojnë trajtimin e rastit dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme./lajmi.net/