Gjini: Ftoj PDK e LDK ta krijojmë qeverinë e opozitës, në të kundërtën vendi është në rrezik

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, u ka bërë thirrje Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që të bashkohen për formimin e një qeverie të opozitës. Gjini tha se është i shqetësuar nga ajo që e cilësoi si keqkuptim i një pjese të elektoratit lidhur me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara…

Lajme

09/06/2026 22:34

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, u ka bërë thirrje Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që të bashkohen për formimin e një qeverie të opozitës.

Gjini tha se është i shqetësuar nga ajo që e cilësoi si keqkuptim i një pjese të elektoratit lidhur me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kam një drojë se lajthitja e një pjese të elektoratit e ka arritur atë nivel sa nuk po e kuptojnë që kushdo që është kundër Amerikës është kundër Kosovës. Është kaq e thjeshtë dhe nuk mund të interpretohet në asnjë mënyrë tjetër”, deklaroi ai.

Sipas Gjinit, veprimet që dëmtojnë raportet me aleatët strategjikë janë në dëm të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

Ai theksoi se, pavarësisht se Aleanca do të ishte partneri më i vogël në një koalicion, ka të drejtë të kërkojë bashkëpunimin, pasi sipas tij, Kosova do ta pësonte keq.

 “Nëse edhe 10 kosovarë janë që mendojnë sikur ky mua më dhemb zemra, qysh s’janë t’u e kuptu që këto veprimet janë kundër Kosovës, kundër qytetarëve të këtij vendi. I ftoj dy partitë  e tjera me u bë bashkë, e di që kam me qenë partneri më i vogël. Kam të drejtë të plotë, me i ftu me u bë bashk me ndërtu një qeveri të opozitës, për shkak se nëse vazhdojmë në këtë mënyrë, Kosova ka me pësu shumë keq.