Gjinekologu Veliu u sulmua me shufër metalike- Prokuroria e Policia po hetojnë rastin, derisa ai thotë se rasti i duket i “rastësishëm”
Gjinekologu i njohur kosovar, Afrim Veliu është sulmuar mbrëmë në lagjen “Ulpiana” ku ai ka edhe klinikën e tij private në të cilën është i angazhuar. Veliu i cili është i angazhuar me punë edhe në QKUK u sulmua fizikisht teksa sipas dëshmitarëve ishte mbuluar me gjak si shkak i goditjeve të marra. Në lidhje…

Lajme
Gjinekologu i njohur kosovar, Afrim Veliu është sulmuar mbrëmë në lagjen “Ulpiana” ku ai ka edhe klinikën e tij private në të cilën është i angazhuar.
Veliu i cili është i angazhuar me punë edhe në QKUK u sulmua fizikisht teksa sipas dëshmitarëve ishte mbuluar me gjak si shkak i goditjeve të marra.
Në lidhje me këtë rast, lajmi.net ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nga ku u tha se janë duke hetuar rastin në bashkëpunim me Policinë.
“Ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit ka iniciuar rastin ”Lëndim i lehtë trupor” bazuar nga neni 185 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me çështjen në fjalë.”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Prokuroria.
Për detaje të rastit, lajmi.net ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës gjatë ditës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë se Veliu është goditur me mjet metalik në kokë dhe se rasti ka ndodhur rreth orës 21:30.
Gjithashtu sipas policisë i dyshuari pas sulmit ka arritur që të largohet nga vendi i ngjarjes.
“Mbrëmë rreth orës 21:30, është raportuar për një sulm fizik, të ndodhur në rrugën “Henry Dunant” në lagjen Ulpiana të Prishtinës. Sipas informacioneve të para dyshimet janë ngritur se, teksa po futej në veturë viktima është goditur në kokë me një mjet metalik nga një person i panjohur. Viktima ka pësuar lëndime të lehta dhe ka marrë trajtim mjekësor. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa motivi i sulmit mbetet i panjohur. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative dhe hetimore për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor””, ka thënë Borovci.
Kurse sot ka folur në lidhje për rastin edhe vet Veliu. I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi“, gjinekologu i njohur tha se është mirë dhe se sulmi nuk ndërlidhet me punën e tij dhe se nuk ka dyshim për ndonjë person apo për ndonjë çështje.
“Nuk i di motivet, për besë. Po më duket e rastësishme më shumë. Mirë jam shumë, super”, tha Veliu./Lajmi.net/