Gjilani me monument për kontributin e grave

Kryetari i Komunës së Gjilanit priti sot në takim të fundvitit Lobin e Grave Gjilanase, me të cilat ka bashkëbiseduar me qëllim të përfshirjes së grave në vendimarrje në qeverisjen lokale.

Lajme

19/12/2017 17:49

“Jemi të përkushtuar që në nivelin lokal në të gjitha format ta kemi gruan gjilanase të fuqishme në të gjitha sferat e jetës, në familje, në shoqëri, në vendimmarrje, në biznes dhe në përfaqësime gjithandej. Zonjat e këtij qyteti gjithnjë kanë dëshmuar nivel të lartë intelektual, kreativ, menaxherial dhe fuqizues. Gjilani ka numrin më të madh të deputeteve të cilat kanë arritur këtë pa kuotë, por me garë të hapur ndaj burrave”, potencoi Kryetari Haziri.

Haziri shtoi se hapësira për gratë dhe femrën në përgjithësi do të jetë e plotë, sepse vetëm me gra të suksesshme, do të ecim sigurt në zhvillim të proceseve dhe ndërtim të vendit.

Kurse, në emër të grave pjesëmarrëse në takim, ka folur Shahadije Rexhepi, e cila ka potencuar nevojën e madhe të mbështetjes së femrës në të gjitha fushat dhe mbështetjen e saj në rrugën e ecjes përpara drejtë sukseseve.

Nga ky takim siç është bërë e ditur janë dakorduar që Gjilani ta ketë një simbol, apo monument që paraqet kontributin e grave në periudha të ndryshme të kësaj komune. /Lajmi.net/