Gjiganti kinez merr bakrin shqiptar

Përmes një operacioni financiar të zhvilluar në Turqi, pjesa më e madhe e rezervave shqiptare të bakrit kanë kaluar në pronësi të gjigantit botëror të minierave, kompanisë kineze “Jiangxi Koper”.

Lajme

19/05/2014 18:04

Burime zyrtare të Ministrisë së Energjetikës së Shqipërisë in kanë konfirmuar televizionit Top-Channel se ditë më parë kompania kineze ka blerë në Turqi 50 për qind të aksioneve të “Nesco Metal”. Kjo e fundit është ndërmarrja që zotëron 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “Beralb”, e cila ka me koncesion nga qeveria shqiptare vendburimet më të rëndësishme të bakrit në Shqipëri, si minierën e Munellës, Lakroshit, Karmës por edhe Fabrikën e pasurimit të bakrit në Fushë-Arrëz.

Bakri konsiderohet si metali i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri edhe pse vitet e fundit industria është goditur nga rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, por edhe problemet e brendshme.

Sipas të dhënave zyrtare, katër vitet e fundit eksportet shqiptare të bakrit janë luhatur nga 30 deri në 40 milionë dollarë në vit. Kalimi i këtyre rezervave në pronësi të kinezëve shton shpresat për një rigjallërim të industrisë së bakrit në Shqipëri.

“Jiang Xi”, e cila zotërohet  nga qeveria kineze, renditet kompania e dytë në botë për prodhimin e bakrit. Vitin e kaluar kjo kompani u klasifikua në pozicionin e 414-të mes 500 kompanive më të mëdha në botë për nga vlera e tregut, me një xhiro vjetore prej 28 miliardë dollarë, ose sa dy herë prodhimi kombëtar i Shqipërisë.