Gjeti kuleten e aktores amerikane me 2000 dollarë, kosovari tregon krejt ngjarjen

Pak ditë më parë, gazetari i CNN, Bill Weir zbuloi përmes një postimi në Twitter se një shqiptar nga Kosova kishte gjetur kuletën e aktores Meryl Streep me 2000 dollarë brenda dhe ia kishte kthyer. Madje, ai kishte refuzuar edhe shpërblimin.

Lajme

01/04/2022 21:57

Shqiptari quhet Zymer Berisha dhe ka rrëfyer gjithë historinë. Ai tha se Meryl Steep është aktorja e tij e preferuar, megjithatë nuk e ka takuar, pasi për të marrë portofolin kishte shkuar vajza e saj.

“Ishte një mbrëmje e bukur për fatin tim që të kisha në dorë portofolin e Meryl Streep. Unë e pashë në rrugë. M’u duk si paketë e madhe dhe po më dukej sikur po pengonte makinat. Shkova e mora dhe kur pashë që ishte çantë, e hapa ta dija se e kujt ishte. Pashë fotografinë, dokumentet dhe kartat e saj, m’u duk pak si ndryshe në fotografi, por kur e lexova ishte Meryl Steep. U befasova, por nuk hezitova të kontaktoj disa nga numrat e telefonit që ishin aty brenda. U lidha me vajzën e saj, e cila erdhi ta merrte. Vajza e saj jeton aty diku afër”, shpjegoi ai për emisionin “Rudina” në TVKlan.

“I pashë fotografinë dhe letrat dhe pashë shumën e madhe të parave. Sidoqoftë e kam mësuar prej prindërve të mi se çfarëdo, sado vlerë të madhe të ketë, kur s’është e jotja, s’është e jotja. E bija u largua dhe më pas tha “Oh Zot”, sepse kur po largohej i pa dokumentat dhe dollarët. Tha se s’mungonte asnjë cent. I thashë që s’mungon se ka rënë në duar të sigurta. Tentoi të më japë diçka, por unë s’pranova, sepse nuk e bëra që të marr shpërblim, por sepse nuk ishte imja”, -ka treguar Berisha.

Në fund, Zymer Berisha rrëfeu se vajza e Streep u kthye përsëri tek ai dhe i tha se e ëma e kishte dërguar prapë se dëshironte të pranonte diçka të vogël në shenjë falënderimi, që ishte një shumë e vogël parash, të cilën ai si përfundim e pranoi.