Të Infektuar: 57.317

Të Shëruar: 50.487

Të Vdekur: 1.447

Gjermania shmang rënien rekorde ekonomike më 2020 pavarësisht pandemisë

12:55 | 14 Janar 2021

Ekonomia e Gjermanisë është tkurrur për 5.0 për qind më 2020, çka përbën shifër më të vogël sesa është parashikuar, meqë masat e pashembullta qeveritare të ndihmës kanë ndihmuar në zvogëlimin e shokut të shkaktuar nga pandemia.

Franca dhe Italia, që mbajnë vendet e dyta dhe treta respektivisht në Eurozonë, është parashikuar që të përballen me 9 për qind tkurrje më 2020.

Të dhënat e së enjtes tregojnë sesi kriza me pandeminë është duke rritur dallimet brenda 19 vendeve anëtare që kanë për valutë euron.

Zyra e Statistikave në Gjermani ka treguar se rritja e bruto-prodhimit të brendshëm ka pësuar rënie për 5.3 për qind.

“Ka qenë vit i katastrofës, mirëpo duke marrë parasysh se nga çka jemi frikësuar përgjatë vitit të kaluar, mund të themi se jemi përballur me ulje të lehtë”, ka thënë analisti, Uwe Burkert.

Zyra e Statistikave ka thënë se rritja ekonomike ka stagnuar në çerekun e katërt, mirëpo ekzistojnë trende pozitive më 2021, çka nënkupton se Gjermania ka arritur të menaxhojë relativisht mirë valën e dytë të pandemisë së koronavirusit.

Koalicioni qeveritar i kancelares gjermane, Angela Merkel ka miratuar një varg masash për t’iu ndihmuar kompanive dhe konsumatorëve në ekonominë më të madhe në Evropë.

Në programet e ndihmës janë përfshirë: ndihma për likuiditet, skema për mbrojtje të vendeve të punës, ulje të taksave, dhënie të parave të gatshme dhe thirrje për investime afatgjata në infrastrukturë publike.