Gjermania korrigjon gabimin për Aeroportin “Adem Jashari”, hiqet referenca e gabuar si pjesë e Serbisë
Autoriteti Federal i Aviacionit Civil të Gjermanisë ka përditësuar të dhënat zyrtare për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke korrigjuar një gabim të kahershëm, sipas të cilit aeroporti ishte regjistruar gabimisht si pjesë e Serbisë. Lajmin e bëri të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili tha se korrigjimi u arrit…
Lajme
Autoriteti Federal i Aviacionit Civil të Gjermanisë ka përditësuar të dhënat zyrtare për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke korrigjuar një gabim të kahershëm, sipas të cilit aeroporti ishte regjistruar gabimisht si pjesë e Serbisë.
Lajmin e bëri të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili tha se korrigjimi u arrit falë reagimeve të qytetarëve dhe angazhimit të vazhdueshëm të Ambasadës së Kosovës.
“Falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit të vazhdueshëm diplomatik, Autoriteti Federal i Aviacionit Civil të Gjermanisë (Luftfahrt-Bundesamt) ka korrigjuar pasaktësinë lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, i cili prej vitesh ishte evidentuar gabimisht si pjesë e Serbisë,” ka shkruar Ajeti.

Ai e cilësoi këtë zhvillim si dëshmi se bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve diplomatike mund të sjellë rezultate konkrete.
“Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete,” ka theksuar ai.
Ndërkohë, Ambasada e Kosovës në Gjermani u ka bërë thirrje qytetarëve që të njoftojnë për çdo rast kur institucionet ose kompanitë gjermane paraqesin gabimisht Kosovën apo qytetet e saj. Sipas ambasadës, raportimet duhet të shoqërohen me dëshmi përkatëse, në mënyrë që të ndërmerren hapat e nevojshëm për korrigjimin e tyre.
Ambasada ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për identifikimin dhe korrigjimin e pasaktësive të tilla edhe në të ardhmen./Lajmi.net/