Gjermania kërkon bashkëpunim ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor

Konferenca për Ballkanin Perëndimor, që do të mbahet nesër në Berlin, do të ketë dy pika kryesore, të cilat synojnë ta evidentojnë gjendjen e tanishme të vendeve të këtij rajoni, dhe mundësinë që këto shtete të vazhdojnë rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Lajme

27/08/2014 19:15

Kështu është shprehur zëvendës/ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Kiesler, në një takim me gazetarë. Ai tha se rëndësia e kësaj konference qëndron në atë se është nën organizimin direkt të kancelares AngelaMerkel, e cila po tregon se sa është i rëndësishëm ky rajon për politikën e jashtme gjermane, raporton KosovaPress.

Sipas tij, konferenca do t’i ketë në fokus dy pika kryesore përmes të cilave synon avancimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin drejt anëtarësimit në BE.

“Në konferencë do të jenë dy pika kryesore për të cilat do të diskutohet. E para është bashkëpunimi rajonal. Pra këtu është shumë me rëndësi që dialogu politik i Kosovës me Serbinë të vazhdojë. Dhe, pika e dytë është ajo e zhvillimit ekonomik në të gjitha vendet e rajonit, në sektorin e energjisë dhe të infrastrukturës, pra të gjitha shtetet e rajonit duhet të bashkëpunojnë. Për ne është jashtëzakonisht me rëndësi që Kosova të jetë pjesëmarrëse në të gjitha forumet dhe organizatat ekzistuese të bashkëpunimit rajonal”, tha Kiesler.

Konferenca e nesërme do të ketë tri forume të ndryshme, që do të mbahen paralelisht. Kiesler tha se për Qeverinë federale gjermane është shumë me rëndësi që kjo lloj konference të vazhdohet dhe të mos jetë një ngjarje që ndodh veç një herë.

Kjo konferencë është planifikuar të mbahet një herë në vit, deri në vitin 2018.

Qeveria e Austrisë ka shprehur dëshirën të organizojë në vitin e ardhshëm këtë konferencë.(KososvaPress)