Gjermania ia kujton Mustafës premtimet e fushatës, pret veprime nga ai
Qeveria e re e Kosovës ka filluar të merret me problemet ekonomike në vend, por Gjermania ia kujton kryeministrit Isa Mustafa se ndërmarrjet gjermane që operojnë në Kosovë kanë pengesa të ndryshme.
Lajme
Ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets gjatë një debati të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermane në Kosovë me temën “Dialogu për Politika Ekonomike”, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Mustafa, tha se çmimet e mallrave të importuara nga Gjermania janë vënë në pikëpyetje disa herë nga Dogana e Kosovës.
Ajo kërkoi respektim të të gjitha rregullave, mirëpo, sipas saj, rregullat nuk duhen të shndërrohen në mundim për ndërmarrjet.
Në këtë debat u fol edhe si kompani të shumta gjermane, shkaku i korrupsionit dhe mungesës ë ligjit në Kosovë janë larguar nga Kosova.
Ndërkaq, kryeministri Mustafa tha se do të zhvillojnë dialog të hapur me bizneset, për të parë çka funksionon tani në sistemin ekonomik të Kosovës dhe çfarë duhet të ndryshohet.
Ambasadorja gjermane ia bëri me dije se ata kanë përcjellë fushatën e tij dhe se presin veprime në këtë drejtim.
“‘Ekonomia budallallëqe’ kjo moto e fushatës zgjedhore e Bill Clintonit në vitin 1992 vlen sot më shumë se kurrë për Kosovën. Në masë të madhe e kemi përcjellë fushatën zgjedhore në Kosovë vitin e kaluar, në të cilën në radhë të parë roli social dhe ekonomik i popullatës ishte temë kryesore. Tashmë fushata zgjedhore ka përfunduar, Qeveria është krijuar edhe ajo ka marrë detyrën e saj pothuajse tre muaj, ne e përshëndesim shprehimisht faktin që Qeveria e re e ka marrë përsipër dhe e ka marrë për zemër menjëherë dhe i është përveshur punës në zgjidhjen e problemeve, kjo gjithsesi është përshtypja jonë z. kryeministër”, ka thënë Viets.
Ajo ka shtuar se janë më shumë se 400 ndërmarrje të anketuara në Kosovë, të cilat si pengesë kryesore për të ushtruar aktivitetin e tyre biznesor kanë thënë të jetë furnizimi jo i besueshëm me energji në vend.
Për këtë arsye, tha ajo, tash pas 15 vjetësh ka ardhur koha që më në fund furnizimi me energji të vendoset mbi një themel solid.
“Në të kaluarën janë arritur shumë suksese në përpjekje të përmirësimit të klimës ekonomike dhe investimeve në Kosovë. Por, nga ana tjetër, shumë shpesh dëgjojmë edhe ankesa nga ndërmarrjet gjermane se ka akoma pengesa të ndryshme. Ne jemi njoftuar, për shembull, nga disa ndërmarrje gjermane që çmimet për mallrat e importuara nga Gjermania janë vënë në pikëpyetje disa herë nga Dogana e këtushme. Për të mos u keqkuptuar, ne jemi për respektimin e të gjitha rregullave, natyrisht, mirëpo në qoftë se përmbajtja e rregullave degjenerohet në një mundim për ndërmarrjet, atëherë kjo nuk do të kishte kuptim. Unë besoj që Qeveria e re do t’i merr seriozisht këto problem të ekonomisë”, tha ambasadorja gjermane.
Mustafa tha se me bizneset do të zhvillohet dialog i hapur dhe se do të marrë për bazë atë se çka nuk funksionon.
“Ne me bizneset do të zhvillojmë një dialog të hapur, të shohim çka funksionon tani në sistemin tonë ekonomik dhe çfarë duhet të ndryshojmë, në mënyrë që ne ta përshtatim ambientin ekonomik karshi kërkesave të bizneseve dhe karshi nevojave. Një zhvillim më të shpejtë ekonomik, i cili i siguron normë më të lartë punësimi, i cili siguron ulje të varfërisë dhe i cili siguron pjesëmarrjen tonë në ekonominë regjionale dhe evropiane”, tha Mustafa.
Ai po ashtu ka thënë se do t’i adresojnë problemet e bizneseve.
“Dhe po ashtu duam të adresojmë vërejtjet e juaja dhe propozimet, përvojat e juaja në mënyrë që të shohim se çfarë do të ndryshojmë nga legjislacioni i tanishëm, i cili rregullon ekonominë, çfarë reforma fiskale ne duhet të bëjmë në mënyrë që ato të jenë më të përshtatshme për ekonominë dhe që të sigurohet stabilitet buxhetor që sigurojnë të ardhura në mënyrë që ne të përmbushim detyrimet tona të cilat i kemi ndajë shumë fushave në shoqëri”, ka thënë Mustafa.
Samir Krasniqi, kryetar i Odës Ekonomike Gjermane-Kosovare, tha se Oda Ekonomike Gjermane do të jetë partner i bizneseve duke dhënë kontribut në ndryshimet pozitive, por ai ka përmendur edhe kompani të shumta gjermane që nga korrupsioni dhe mungesa e ligjit në Kosovë janë larguar nga Kosova.
“Investitorët gjermanë, të cilët kishin ambicie të vijnë të investojnë në Kosovë, ata më nuk janë këndej, ikën. Ikën të zhgënjyer nga politikat dhe parapolitikat, nga korrupsioni, nga mungesa e shtetit ligjor, u detyruan të kthehen mbrapshtë”, tha Krasniqi.
Po ashtu në debat pati edhe pyetje të shumta dhe ankesa të bizneseve për mungesë të energjisë, mos pasje mundësi të shtrirjes së bizneseve të tyre, në mungesë të pronave që në vende të ndryshme të rajonit ju falen investitorëve për ndërtim të fabrikave, etj.