Gjermani Schuebel merr detyrën e shefit të Zyrës së BE: Të formohen shpejt institucionet që BE të mund ta ndihmojë Kosovën
Zyra e BE-së në Prishtinë ka njoftuar se Dirk Schuebel ka marrë detyrën si Ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, duke shërbyer si Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësues Special i BE-së (EUSR). Schuebel bëri thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve, gjë që do t’i mundësonte Bashkimit Evropian të angazhohej…
Lajme
Zyra e BE-së në Prishtinë ka njoftuar se Dirk Schuebel ka marrë detyrën si Ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, duke shërbyer si Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësues Special i BE-së (EUSR).
Schuebel bëri thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve, gjë që do t’i mundësonte Bashkimit Evropian të angazhohej plotësisht me Kosovën dhe të ofronte asistencën që ka në dispozicion për Kosovën.
“Përpara nesh është një dritare e rëndësishme mundësie. Në të mirë të të gjithë qytetarëve të saj, Kosovës i duhen institucione funksionale, të afta për të zbatuar reformat e nevojshme dhe për të shfrytëzuar plotësisht Planin e Rritjes së BE-së dhe fondet e konsiderueshme të IPA-s që priten së shpejti. Shfrytëzimi maksimal i këtyre mundësive kërkon përgjegjësi politike, institucione efektive dhe një fokus të qartë në reformat dhe agjendën e integrimit evropian”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se mezi pret të punojë me institucionet e Kosovës, aktorët politikë, shoqërinë civile, mediat e të gjitha komunitetet për të të ndihmuar ecjen drejt integrimit.
“Mezi pres të punoj me institucionet e Kosovës, aktorët politikë, shoqërinë civile, mediat dhe të gjitha komunitetet, për ta ndihmuar një Kosovë multietnike që të përparojë në rrugën e saj drejt integrimit në BE, në baza të barabarta me të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha Schuebel.
“Do ta mbështes të ardhmen evropiane të Kosovës. Puna drejt këtij qëllimi kërkon përpjekje nga e gjithë shoqëria dhe një përkushtim të përbashkët për ta bërë integrimin në BE prioritet përtej ndarjeve politike. Gjithashtu, do ta mbështes angazhimin konstruktiv të Kosovës në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun, Peter Sorensen.”, ka shtuar tutje ai.
Schuebel theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me Kosovën, duke u mbështetur në më shumë se 25 vjet përkrahjeje që nga viti 1999, si partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare.
“BE-ja i ka ofruar Kosovës më shumë se 3.7 miliardë euro ndihmë, duke filluar nga rindërtimi, ndërtimi i institucioneve dhe sundimi i ligjit, deri te zhvillimi ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë”, thuhet në njoftim.
“Së bashku, ne mund t’i shndërrojmë aspiratat evropiane të Kosovës në përparim konkret për të gjithë qytetarët e saj”, shtoi ai.
Në ushtrimin e detyrave të tij, Ambasadori Schuebel do të mbështetet nga Zëvendës Shefi i sapoemëruar i BE-së në Kosovë, Alexis Hupin, si dhe nga ekipi i Bashkimit Evropian në Kosovë.