Gjermania përshpejton procedurat për azilkërkuesit kosovarë

Në konsultimin që kanë pasur sot ministrat e brendshëm të landeve me Ministrinë e Brendshme Federale të Gjermanisë ka dështuar kërkesa e Bavarisë që Kosova të futet në rrethin e “vendeve të sigurta”.

Lajme

13/02/2015 12:59

Por, ministrat janë pajtuar për masa që shpejtojnë procedurat për dëbimin e azilkërkuesve kosovarë. Për të realizuar këtë, nevojitet personel më i madh.

Duke hedhur poshtë propozimin e qeverisë së Bavarisë, ministri i brendshëm i landit Niedesachsen, Boris Pistorius ka thënë se një masë e tillë “nuk vepron në afat të shkurtë”. Në vend të saj procedurat e azilit për kosovarët duhet të shkurtohen dhe për të realizuar këtë, ministrat e brendshëm të landeve dhe ai federal së bashku me Zyrën Federale për Migracion dhe refugjatë duhet të ofrojnë në dispozicion numër më të madh të personelit.

Është arritur pajtimi që procedurat në landet Bavari, Baden-Württmeberg, Nordrhen-Westfalen dhe Niedersachsen të shkurtohen në gjithsej 14 ditë. Shefat e resorëve përkatës janë pajtuar që të rrisin numrin e punonjësve të Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjatë. Arsye për këtë është numri gjithnjë në rritje i azilkërkuesve nga Kosova. Ministri i brendshëm i Baden-Württmemberg-ut Reinhold Gall ka thënë me këtë rast se “ky është një hap i rëndësishëm” për tu përballur me problemin e refugjatëve.

Veç asaj që u tha më lartë,Qeveria Federale planifikon të ndihmojë policinë serbe me 20 zyrtarë policorë federalë. Ata do të angazhohen kryesisht në zbulimin e dokumenteve të falsifikuara./Albinfo.ch/