Gjeografia Globale e Njohjeve

Ministri Enver Hoxhaj thotë për lajmi.net se procesi i njohjeve për Kosovën është i pandalshëm. Pas Grenadës dhe Libisë, ai ka informata se një shtet tjetër nga Azia tashmë ka marrë vendim për njohje. Thotë se askush nuk mund ta ndalë rrjedhën e historisë.

Lajme

25/09/2013 19:22

Në ditën kur ka marrë në dorë dy njohje të reja për shtetin e Kosovës nga Grenada dhe Libia, shefi i diplomacisë kosovare thotë se këto njohje tregojnë që procesi është i pandalshëm.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë për lajmi.net nga New York’u se askush nuk mund ta ndalë procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës.

“Unë kam pasur informatë të saktë që këto dy vende do ta njohin Kosovën gjatë shtatorit dhe ka pasur aranzhime konkrete për kohën që kjo të ndodhë gjatë kohës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së”, thotë Ministri Hoxhaj.

“Këto tregojnë se procesi i njohjeve është i pandalshëm, që Republika e Kosovës ka një njohje ndërkombëtare dhe që gjeografia e saj është një gjeografi globale, meqë sot morëm njohje nga Amerika e Mesme por edhe nga Afrika”.

“Askush nuk mund ta ndalë rrjedhën e historisë. Kosovës i takon që të jetë shtet sovran dhe i pavarur, i barabartë si çdo shtet tjetër dhe se asnjë shtet nuk duhet të ketë arsye politike apo legale që ta shtyjë vendimin e njohjeve”.

Ministri Hoxhaj konfirmon se një shtet tjetër aziatik veçse e ka marrë vendimin për njohje. Por, refuzon ta bëjë të ditur emrin e këtij shteti, para se ta marrë vendimin zyrtar.

“Jam plotësisht i sigurt që gjatë kësaj jave do të ndodhë shpallja e kësaj njohjeje. Ne kemi informatë se vendimi veçse është marrë, por i takon atij shteti që ta bëjë publike. Nuk e kam praktikuar asnjëherë që të flas para se shtetet ta komunikojnë lajmin në rrafshin zyrtar dhe në rrafshin medial. Por, bëhet fjalë për një shtet nga kontinenti i Azisë”.