Gjenerallejtënant Kadri Kastratin dekorohet me “Urdhrin e Pavarësisë”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur tw prmten në takim komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, të cilin e dekoroi me “Urdhrin e Pavarësisë”.

Lajme

13/03/2015 10:55

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, si dhe zyrtarë të tjerë të FSK-së.

Presidentja Jahjaga falënderoi gjenerallejtënant Kastratin, në përfundimin e detyrës së tij si komandant i FSK-së, për përkushtimin e tij shumëvjeçar në ndërtimin e këtij institucioni shembull të Republikës së Kosovës.

Ajo tha se gjenerallejtënant Kastrati po e përmbyll këtë detyrë, duke lënë pas veten një institucion profesional, të gatshëm për të marrë përgjegjësitë që i takojnë në garantimin e sigurisë kombëtare, që ngërthen në vete vlerat dhe idealet e Republikës së Kosovës dhe aspiratën tonë për të qenë pjesë e infrastrukturës euroatlantike të sigurisë.

“Nën udhëheqjen tuaj e kemi parë FSK-në të ngritet mbi çdo sfidë, të fuqizohet dhe të kalojë barriera fizike, me shtrirjen e dorës së ndihmës secilit qytetar të Kosovës. Ju keni dhënë kontribut të çmueshëm për ndërtimin e vizionit për të ardhmen e FSK-së dhe transformimin e kësaj force në Forcat e Armatosura të Kosovës, një përgjegjësi që u mbetet ta jetësojnë pasardhësit tuaj”, tha presidentja.

Nga ana e tij, gjenerallejtënant Kastrati falënderoi presidenten Jahjaga për vlerësimin për punën e tij, falënderoi ushtarët, nënoficerët dhe oficerët e FSK-së, ministrin e FSK-së, për përkrahjen e vazhdueshme për zhvillimin dhe transformimin e FSK-së.

10428591_794110707344741_7735022017077639459_n