Gjeneralë e diplomatë, çfarë dëshmuan ndërkombëtarët në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së?

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë përfunduar dëshmitë të gjithë dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit në gjykimin ku së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Paraqitja e provave të mbrojtjes filloi më 15 shtator 2025 dhe dëshmitar…

Lajme

19/11/2025 12:33

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë përfunduar dëshmitë të gjithë dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit në gjykimin ku së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Paraqitja e provave të mbrojtjes filloi më 15 shtator 2025 dhe dëshmitar i parë në këtë rast ishte ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin dhe i fundit apo i shtati për nga renditja ishte ish-gjenerali suprem i NATO-s, Wesley Clark.

Wesley Clark
Wesley Clark dëshmoi më 17 dhe 18 nëntor 2025, ku gjatë këtyre ditëve ritheksoi se nuk është e drejtë që gabimet e të tjerëve t’i atribuohen Thaçit.

Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se sipas asaj që kishte parë në Rambuje, Hashim Thaçi nuk ishte komandant ushtarak.

Clark foli për Marrëveshjen e Rambujesë, duke thënë se u pranua vetëm nga pala shqiptare, ndërsa serbët nuk e pranuan. Sipas gjeneralit, kjo ishte një bazë për të filluar ata diçka.

Për UÇK-në, Clark tha se bëhej fjalë për grupe lokale që ishin formuar spontanisht si përgjigje të shtypjes serbe. Veç kësaj, ai shtoi se nuk ka prova që UÇK-ja qëndronte mbrapa spastrimit etnik të serbëve më 1999-ën.

Përveç kësaj, ai tha se s’ka pasur kontroll civil mbi UÇK-në dhe që s’është e mundur që të ketë hierarki pa qenë në dijeni SHBA-ja. Madje, ai shtoi se Thaçi s’ka pasur kontroll mbi njerëzit që kanë kryer krime.

Duke folur për deklaratat se UÇK-ja ishte organizatë terroriste në fillimet e saj, Clark tha se kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, ata kalojnë nga të qenët terroristë në luftëtarë lirie. Ai tha se kjo organizatë ishte vetëorganizuar dhe se ushtria serbe iu frikësohej atyre.

Ndërsa, pretendimi se UÇK-ja trafikoi organe të qenieve njerëzore, Clark tha se ishte propagandë e rusëve dhe se nuk ka logjikë që të bëheshin gjëra të tilla ndërkohë që ishte fushatë ajrore e bombardimeve të NATO-s.

Po ashtu, Clark tha për UÇK-në se nuk janë terroristë dhe se ata luftuan kundër shtypjes së serbëve ndaj tyre.

“Personat duhet të përpiqen të luftojnë për të drejtat e tyre. Këtë u përpoq që të bënte UÇK-ja në fillimin e viteve ’90-të kur thjesht nuk pranuan shtypjen prej serbëve dhe bënë të pamundurën për t’i rezistuar shtypjes prej serbëve”, tha ai.

Clark deklaroi se UÇK-ja luftoi kundër një regjimi të padrejtë dhe të jashtëligjshëm i cili meritonte të largohej.

“Ata janë njerëz që luftuan kundër një regjimi të padrejtë dhe të jashtëligjshëm i cili meritonte të largohej dhe të zëvendësohej. E njëjta gjë po ndodhë aktualisht në Ukrainë”, tha Clark.

Gjithashtu, Clark deklaroi se Thaçi nuk ka përgjegjësi për aktet e dhunës individuale të hakmarrjes në Kosovë.

“E kam ndjekur këtë gjykim dhe i qëndroj bindjes së mëparshme që Hashim Thaçi nuk është përgjegjës për atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Ai nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës individuale të hakmarrjes”, tha Clark.

Duke folur për dezinformimin gjatë periudhës së luftës, Wesley Clark tha se ndërkombëtarët nuk dëshironin që për Masakrën e Reçakut të kryenin hetime njerëzit e Sllobodan Millosheviqit.

Clark tha se arsyeja e kësaj ka qenë se kishte rrezik që Millosheviq mund t’i tjetërsonte provat dhe ta krijonte situatën të dukej sikur ngjarja është kryer nga UÇK-ja.

Dëshmitari Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij, tregoi për një incident kur NATO-ja goditi një bazë që pretendohej se ishte e forcave serbe, ndërkohë që aty po mbaheshin shqiptarë të ndaluar.

“Në një rast kemi identifikuar disa automjete serbe rreth një ndërtese që dukej si një seli ose shtab. Ishin automjete rreth e çark kësaj ndërtese. Kishte antena në godinë, kishte komunikime. Personat që punonin për inteligjencën e identifikuan si një godinë serbe dhe u godit dhe pastaj doli që s’ishte fare godinë serbe por serbët aty kishin vendosur shqiptarë dhe ajo ishte një godinë që serbët i kishin futur shqiptarët për t’i ndaluar dhe ishte një incident i tmerrshëm”, tha Clark.

Ai theksoi se bashkë me njerëzit e tij u ndjenë shumë keq kur zbuluan se çfarë kishte ndodhur.

James Rubin
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin kritikoi Gjykatën Speciale për kohën e gjatë që ka mbajtur në paraburgim katër të akuzuarit, e në veçanti Hashim Thaçin.

Ai madje në Hagë tha se e shqetëson fakti që dikush të qëndrojë i paraburgosur për pesë vite, duke e ditur që ata iu dorëzuan vullnetarisht drejtësisë.

Rubin tha se sekretarja Madeleine Albright nuk e ka menduar këtë lloj drejtësie, kur ka iniciuar krijimin e ish-Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën.

“Kështu që mua më është dukur si fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së nëpër male dhe UÇK-në dhe nuk mendoj që dikush tjetër jashtë UÇK-së e ka pasur këtë mundësi. Duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së unë për tre ditë e kam pa se si janë sjellë ata, se kush ishin përgjegjës, kush ishte komandanti, kush zëvendësi. Duke pasur këtë lloj njohurie, unë mendoj kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, por kam të drejtë të shpreh me zë të lartë opinionin tim”, tha James Rubin në Hagë.

Veç kësaj, Rubin deklaroi se persona nga fusha e drejtësisë ndërkombëtare i kanë thënë se është mënyrë e pazakontë trajtimi i një burrë shteti sikurse ky që po i bëhet Hashim Thaçit në Hagë.

Në Hagë, Prokuroria e ballafaqoi Rubinin me deklarata të tij të mëhershme që i kishte dhënë në publik lidhur me procesin gjyqësor në Hagë dhe aktakuzën ndaj Thaçit dhe tjerëve.

Ai e kishte përshkruar Prokurorinë si turp në një deklaratë në korrik të këtij viti, e për të cilën, Rubin tha se mund të ketë qenë shprehje e pamatur. Përveç kësaj, Rubin kishte thënë se Thaçi ishte arrestuar në kohën kur po e bënte marrëveshjen e paqes me Serbinë.

Dëshmitari kishte thënë se as nuk e kishte lexuar dosjen paragjyqësore, as aktakuzën dhe as nuk i kishte ndjekur dëshmitë e dëshmitarëve.

Si rrjedhojë, Prokuroria iu drejtua Rubinit duke i thënë që nuk e ka lexuar aktakuzën, dosjen paragjyqësore e as s’i ka dëgjuar dëshmitarët që kanë dëshmuar dhe po nxjerrë deklarata të tilla.

James Rubin dëshmoi për tri ditë me radhë, e që gjatë kësaj kohe tregoi për rolin dhe përgjegjësitë që kishte pasur Hashim Thaçi si pjesë e delegacionit shqiptar gjatë negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë.

Rubin tha se ishte udhëzuar nga ish-sekretarja e shtetit amerikan, Madeleine Albright që të shoqërohej me Thaçin dhe ta njihte më shumë.

Sipas tij, ata e kishin inkurajuar Thaçin që Marrëveshjen e Rambujesë ta shihte si mundësi të vendosjes së paqes.

Rubin tregoi se Thaçi refuzonte të nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë dhe çdo marrëveshje tjetër që në thelb nuk e kishte fjalën ‘Pavarësi’.

James Rubin kishte treguar se Albright e kishte kërcënuar Thaçin me mospërkrahje nga perëndimi në rast që nuk e nënshkruan marrëveshjen.

“Do jesh përgjegjës për vdekjen e njerëzve të tu nëse nuk ndërron mendje, lidershipi është për të marrë vendime të vështira. E di se e ke shumë të vështirë të heqësh dorë nga pavarësia, por nëse nuk pranon nuk do ta kesh përkrahjen e perëndimit. Do ta rrezikosh miqësinë me mua dhe Rubinin. Nuk ke miq më të mirë se mua dhe Rubinin në perëndim. Por, kështu ne nuk mund të të ndihmojmë të dëshpërosh popullin shqiptar”, lexoi avokati i Thaçit, Luka Mishetiq të këtë thënë Albright.

Madje, Rubin kishte thënë se Thaçit sa nuk i shpëtuan lotët nga ajo se çfarë i kishte thënë Albright.

Rubin kishte treguar se pas kësaj bisede me Albright, Thaçi kishte dalë në një shëtitje me atë, e që si rrjedhojë i kishte treguar se ishte nën presionin e komandantëve të zonave të UÇK-së.

Gjatë kohës kur po zhvilloheshin punimet për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, Rubin tha se Thaçi iu kishte treguar se kishte vetëm rol politik dhe jo udhëheqës. Pra, me njëfarë forme ishte vetëm pasqyra e një lëvizjeje që dëshironte pavarësi.

“Nuk e kishim kuptuar qartë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por ne e kishim të qartë që ai nuk kishte autoritet as nuk kishte mundësi të diktonte asgjë, por thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra e fshehur e udhëheqjes shqiptare që po merrnin vendime në grup. Ai duhej ta merrte lejen prej tyre dhe ai vetë nuk e kishte mundësinë. Nuk ishte në gjendje që të diktonte rregulla dhe kushte. Ai duhej të komunikonte me persona të tjerë që t’i jepej miratimi”, tha Rubin.

Në Hagë, ai tha se nuk mendonin dhe as nuk besonin që kishte sistem në UÇK që funksiononte në mënyrën e duhur në strukturë. Sipas tij, nuk kishte njësi të organizuar që dikush të ishte në krye ose të kishte autoritetin të dikonte. Veç kësaj, ai tha se kur ka qenë në Kosovë nuk ka parë diçka që i ngjasonte Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Kurse, komunikatat e UÇK-së, ai i ka quajtur si përpjekje e tyre për t’u dukur të rëndësishëme të cilat janë dukur më shumë sikur manipulime sesa diçka që përkonte me realitetin sa i përket pjesës organizative.

Në anën tjetër, Rubin tha se diplomati Christopher Hill ishte i anshëm dhe kundër UÇK-së gjatë këtyre negociatave. Tha se vazhdimisht po tentonte që ta dëmtonte figurën e tij dhe figurën e sekretares Madeleine Albright.

Rubin ka deklaruar se në fazën fillestare të UÇK-së po vriteshin civilë dhe jo ushtarë, veprime këto që i kishte dënuar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

Dëshmitari pranoi se në viti 1997, autoritetet e SHBA-së shprehën shqetësime dhe dënuan krime që pretendohet se janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së.

Ai pohoi se autoritetet e SHBA-së nuk kanë mundur ta bëjnë këtë pa pasur raporte të besueshme që ngritnin shqetësimin e tillë.

Ai kishte thënë se jo çdo veprim i UÇK-së ka qenë terrorist, duke shpjeguar se cilat i konsideron ai si terroriste.

Ndërsa, akuzat për vrasje e terrorizëm që kanë qarkulluar gjatë luftës, Rubin tha se kanë qenë të fabrikuara qe për qëllim kanë pasur cenimin e marrëdhënieve të tyre me popullin e Kosovës.

Gjithashtu, ai thotë se edhe për akuzuat që Thaçi dhe Krasniqi, apo edhe dikush tjetër të ketë kryer krime, nuk kanë gjetur prova që të dëshmojnë një gjë të tillë.

Duke qëndruar tek kjo pikë, Rubin kishte thënë se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.

Rubin pohoi se Qeveria serbe nuk po vepronte sipas asaj që kuptohet si luftë konvicionale, por po vepronin si kriminelë për të fshehur krimet e tyre.

Ndërsa sa i përket marrëveshjes së Rambujesë James Rubin tha se Adem Demaçi, pati një telefonatë të ashpër me Madeleine Albright, ku kishte thënë se ose do bëhej pavarësia ose do të vdisnin të gjithë.

Përpara kësaj, Rubin ka thënë se pas Rambujesë me Madeleine Albright e kishin thirrur Adem Demaçin se mendonin që kishte influencë mbi Thaçin dhe jo anasjelltas. Ai deklaroi para Gjykatës Speciale se veprimtari Adem Demaçi, sipas përshtypjes së tij, ishte një burrë ideologjikisht i rëndësishëm duke e quajtur edhe ekuivalent të Nelson Mandelës.

Veç kësaj, ai tha se gjatë periudhës së Konferencës së Rambujesë kur i ra më shumë që të takohej me Thaçin, e dinte që ky i fundit kishte epror.

James Rubin se Adem Demaçi hezitonte nënshkrimin e marrëveshjes në Rambuje sepse nuk e kishte premtimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia dhanë Hashim Thaçit.

Sipas Rubin, ky premtim kishte të bënte me faktin që në rast se Thaçi do nënshkruante marrëveshjen dhe pala serbe nuk do e bënte, atëherë ata do të angazhoheshin për fushatë ajrore kundër Serbisë.

Në fund të dëshmisë së tij, James Rubin tha se ishte privilegj për atë që të japë dëshmi në këtë proces përkundër faktit që ka zgjatur pak si shumë.

Paul Williams
Pas ish-ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka dëshmuar juristi i së drejtës ndërkombëtare, Paul Williams.

Williams ishte ish-këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje gjatë 1999-ës.

Williams kishte thënë se në mes qëllimeve që delegacioni kosovar kishte në Rambuje, ishte për t’u siguruar për të marrë angazhim konkret për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Gjithashtu, ai tha se i kërkuan që të përgatisë gjuhë gjithëpërfshirëse për të siguruar që TPNJ-ja të kishte kompetenca për zbatimin e mandatit të saj në Kosovë. Tek kjo pikë, ai pohoi se Hashim Thaçi e dinte që kjo mund të përfshijë edhe hetime potenciale ndaj anëtarëve të UÇK-së. Madje, ai tha se vetë delegacioni kosovar kishte bërë propozime për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës. Tha se delegacioni kosovar e donte TPNJ-në si mekanizëm të drejtësisë në Kosovë.

Duke folur për punimet e Marrëveshjes së Rambujesë, Williams tha në Hagë se përshtypja e tij ishte që Hashim Thaçi nuk kishte autoritetin mbi negociatat dhe se ai kontrollohej nga dikush jashtë objektit ku mbaheshin përgatitjet për Konferencën e Rambujesë dhe bisedimet për arritjen e Marrëveshjes së Paqes. Këtë përfundim, ndër tjerash, dëshmitari ka thënë se e bazon edhe nga telefonatat e shpeshta që kishte Thaçi.

Ndërsa, tutje ai kishte thënë se Thaçi u raportonte komandantëve të zonave të cilët ushtronin trysni ndaj tij. Përveç kësaj, edhe për Adem Demaçi, Williams tha se ushtronte presion ideologjik ndaj Thaçit. Ndërsa, për nënshkrim të marrëveshjes, ai tha se Thaçi kishte presion nga Albright dhe persona të tjerë.

Por si u vendos Thaçi në krye të delegacionit kosovar në Rambuje, sipas Williams?

Dëshmitari Williams deklaroi se në fillim të raundit për Konferencën e Rambujesë, delegacioni i Kosovës e kishte kryesinë me tre anëtarë në përbërje me Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin dhe Rexhep Qosjen. Sipas tij, rol joformal mori edhe Veton Surroi. Ai tha se Thaçi u zgjodh me dy vota. Sipas tij, ai e votoi veten dhe e mori edhe votën e Rexhep Qosjes.

Ai përmendi se Rugova, si pacifist, mbështeste pavarësinë, ndërsa Bukoshi kishte një qasje më të kujdesshme dhe bashkëpunonte me partnerët amerikanë e evropianë. Përveç këtyre figurave politike, ekzistonin edhe aktorë shtetërorë dhe një dimension i vetëvendosjes strategjike për pavarësinë.

Në këtë kontekst, sipas Willimas, ishte e rëndësishme që në negociata të përfshihej përfaqësues nga UÇK-ja, i cili përmes veprimeve dhe qëndrimeve të tij do të shfaqej si negociator dhe diplomat i besueshëm- rol që iu besua Thaçit.

Duke folur për Jakup Krasniqin, Williams tha se gjatë procesit të Vjenës dhe hartimit të Kushtetutës, Jakup Krasniqi ka pasur rol pozitiv lidhur me rolin e pakicave në Kosovë, duke përfshirë atë serbe dhe rome.

Ndërsa, sa i përket UÇK-së, ai tha se ishte një strukturë mbi baza rurale dhe jo duke u bazuar në rregulla. Kurse, sa i përket Marrëveshjes së Rambujesë, Williams tha se ishte e qartë si drita e diellit që komandantët e zonave duhej bërë pjesë e procesit. Ngjashëm sikur Rubin, edhe Williams tha se Thaçi s’e kishte autoritetin që të vendoste vetë.

John Stewart Duncan
John Duncan nga gushti i vitit 1998 deri në dhjetor të 2001-ës, ka qenë këshilltar politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark.

Ai në Hagë tha se pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ideja e Shqipërisë së Madhe e shqetësonte komunitetin ndërkombëtar. Ndërsa, për shqiptarët e Kosovës, ai tha se janë ndryshe nga ata të Shqipërisë dhe se kanë qenë pjesë e aparteidit gjatë kohës së Sllobodan Millosheviqit e më pas edhe të spastrimit etnik. Dëshmitari tha se shqiptarët e Kosovës kanë afeksion me njëri-tjetrin ndryshe nga ata të Shqipërisë.

Duke folur për UÇK-në, Duncan deklaroi se UÇK-ja kishte përbërje heterogjene dhe se persona të ndryshëm kishin marrë armët për motive të ndryshme.

“Përbërja e aktorëve kryesorë, personave kryesorë, veçanërisht kur filloi të përshkallëzohet spastrimi etnik, kishte disa shtresa; kishte persona që kanë qenë ushtarë në Armatën Jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë, të tjerë që iu ishin keqtrajtuar familjet. Motivi i tyre për të rrëmbyer armët ishte i ndryshëm ndonjëherë”, tha Duncan.

Ai deklaroi se kishte edhe gra në UÇK, disa prej të cilave edhe ishin të mbijetuara të dhunës seksuale.

UÇK-në, dëshmitari tha se e quanin “ushtria e atyre që nuk kishin asgjë”. Mirëpo, sipas tij, nga ajo që ka parë në terren e ka kuptuar që pjesëtarët e kësaj ushtrie vinin nga shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe se motivi për t’iu bashkuar luftës nuk ishte çdo herë i njëjtë.

Ngjashëm sikur dy dëshmitarët paraprak, edhe Duncan tha se e ka kuptuar që fuqinë reale në UÇK e kishin komandantët e zonave dhe se Agim Çeku i kishte thënë se nuk mund të merrej vesh për asgjë nëse nuk merrnin pjesë në negociata këta komandantë. Si rrjedhojë, Duncan mohoi hierarkinë në UÇK, duke vendosur kompetencat në duar të komandantëve të zonave.

Një takim që kishte pasur me komandantët e zonave, Duncan e përshkruan si takim që i vinte era barut dhe luftë. Duke e quajtur takim që i la mbresa, Duncan e përshkroi komandantin e Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinajn të ngjante me filmat e Rambos.

Duke folur për Marrëveshjen e demilitarizimit të UÇK-së, dëshmitari John Stewart Duncan ishte pyetur se pse i është referuar Hashim Thaçit në atë dokument si kryekomandant i UÇK-së. Duncan tha se ai titull është i zmadhuar dhe nuk përkonte me realitetin.

Ai deklaroi se ishte planifikuar që Marrëveshjen e demilitarizimit ta nënshkruante Agim Çeku për shkak se ishte thënë se Thaçi nuk ishte i disponueshëm. Por, më vonë përfundoi emri i tij si nënshkrues i dokumentit e që ky ndryshim nuk e di se nga ka ardhë, por që ishte propozuar nga UÇK-ja.

Ndërsa, mohoi se ka parë ndonjë provë apo dëshmi që tregonin se Thaçi ishte Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së ose që ekzistonte Shtabi i Përgjithshëm sipas pikëpamjeve ushtarake. Ndërsa, sa i përket komunikatave të UÇK-së, ai tha se nuk ka parë të atilla ku përmendeshin ekzekutimet.

Duncan deklaroi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ushtri e rregullt dhe me hierarki ishte propagandë serbe. Ai ka thënë se me gjasë serbët e thoshin këtë për të justifikuar disfatën e tyre kundrejt UÇK-së. Përveç kësaj, dëshmitari tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka dashur të tregojë se nuk ishin thjesht guerilë në mes të malit, por që janë seriozë nga pikëpamja ushtarake por nuk kishte hierarki nga lart-poshtë.

Dëshmitari John Duncan deklaroi se në Kosovë kishte shumë dhunë në qershor të 1999-ës dhe ka parë shtëpi teksa digjeshin. Ai nënvizoi se dhuna e ushtruar ishte fillimisht nga serbët, e që shqiptarët po hakmerreshin. Ai theksoi se këta persona ishin njerëz të zakonshëm dhe kjo dhunë e ushtruar nuk ishte e organizuar. Ndërsa, mohoi se ka parë ndonjë ushtar të UÇK-së të merrte pjesë në këso veprime.

Për Marrëveshjen e Demilitarizimit, Duncan tha se Çeku ishte përgjegjës për respektimin e saj për të cilin ka thënë se nuk e di se kujt i raportonte.

Dëshmitari në Hagë ka thënë se ideja e kësaj marrëveshje ishte shpërbërja e krahut politik dhe nuk u pranua që Thaçi të nënshkruajë në cilësinë e Kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme.

Për Çekun, dëshmitari u shpreh se ka qenë krahu ushtarak, ndërsa për Krasniqin dhe Thaçin ai tha se kanë qenë krahu politik.

                                                            James Peter Covey

James Peter Covey, ishte zëvendës i përfaqësuesit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Kosovë, Bernard Kouchner.

Gjatë dëshmisë në Hagë, duke folur për Hashim Thaçin, ai e përshkroi marrëdhënien e tani të akuzuarit me komandantët e zonave të UÇK-së si të ndërlikuar. Veç kësaj, ai shtoi se Thaçi nuk ishte shef i Agim Çekut e që as misioni ndërkombëtar i UNMIK-ut nuk e ka trajtuar atë si komandant.

Ndërsa, mohoi se ka dijeni për rolin e Azem Sylës dhe Sokol Bashotës në UÇK. Po ashtu, ai tha se nuk e dinte se kush e themeloi UÇK-në dhe as rolin e Thaçit në Rambuje.

Për Thaçin, ai tha e në kohën kur ai shërbeu në Kosovë, njihej si drejtues politik i UÇK-së.

Ngjashëm sikur Rubin, edhe Covey tha se nuk e ka lexuar aktakuzën në këtë rast dhe shtoi se beson që në Hagë është thirrur për të folur për përgjegjësinë për krimet që pretendohet se janë kryer.

Ndërsa, ai shtoi se vetë nuk i ka dokumentuar krimet që pretendohet se janë kryer nga anëtarët e UÇK-së.

Kurse, në seancë private ai ishte pyetur për disa incidente që pretendohet se kanë ndodhur gjatë periudhës së aktakuzës. Dëshmitari tha se asnjëra prej tyre nuk lidhen drejtpërdrejt me Thaçin.

Duke folur për Hashim Thaçin, tha se në gjykimin e tij ai nuk ka qenë një luftëtar dhe se nuk ka asnjë të dhënë që ai mund ta ketë shkrepur ndonjë plumb nga zemërimi.

Dëshmitari James Covey mohoi para Gjykatës në Hagë se i konsideron Agim Çekun dhe Hashim Thaçin si ekstremistë të UÇK-së.

Veç kësaj, ai shtoi se këta dy persona i konsideron të kundërtën e ekstremizmit.

Kurse, për UÇK-në si strukturë, Covey kishte thënë që sipas mendimit të tij, ishte një lëvizje tejet e decentralizuar dhe shpesh “pa lidhje në mes krahëve të saj”. Kishte thënë se UÇK-ja përbëhej nga persona kryesisht të fuqishëm dhe autonom, e që shumica ishin të dhunshëm. Shumica prej këtyre personave, sipas dëshmitarit, kishin pak respekt ose fare për Thaçin.

Duke folur për anëtarët e UÇK-së, në një libër të tij, Covey kishte thënë se Sami Lushtaku ka pasur pozicion drejtues në UÇK. Tha se besohej që Lushtaku ishte përgjegjës jo vetëm për terrorizimin e serbëve por edhe për vrasje të shqiparëve që besohej se kishin bashkëpunuar me serbët.

Sipas Prokurorisë, dëshmitari kishte përmendur faktin se si “Policia po synonte ta prangoste Lushtakun por me shumë të ngjarë nuk do të kishte dëshmitarë për atë”.

Sipas asaj që pretendohet se ka thënë dëshmitari Covey, është rënë dakord me KFOR-in që të mos procedohej më tej kjo punë se duhej të kishte prova të forta për këtë pretendim dhe një forcë civile- ushtarake dhe policore në zonën ku qëndronte Lushtaku.

Lushtaku, sipas asaj që thuhet në librin e dëshmitarit, ishte person i rëndësishëm dhe se arrestim i tij do të kishte krijuar rrëmujë me të cilën duhej të merrej KFOR-i.

Sami Lushtaku njihej si komandant i Zonës në Drenicë dhe kishte reputacionin e një rrugaçi…vendimi për ta arrestuar atë do të merrej kur të kishte prova të mjaftueshme për të përgatitur akuza dhe për të zgjidhur çështje gjyqësore sa më shpejtë. Pra, nuk do të ishte e saktë të thuhet që vendimi ishte që të mos arrestohet ai. Vendimi ishte që përpara se ta arrestoni- siguroni që i keni të gjitha provat dhe burimet e duhura”, tha ai.

Covey po ashtu deklaroi se Sami Lushtaku kishte shumë mbështetje në zonën e tij.

Ai ishte shumë popullor dhe kishte shumë mbështetje në zonën e tij dhe e dinim këtë. Rrugaçët janë të njohur dhe kanë mbështetje. Pra, vendimi ishte që mund ta ndaloni atë në qoftë se i keni elementet dhe provat e mjaftueshme për ta zgjidhur sa më shpejtë”, tha ai.

Dëshmitari shtoi se këtë vendim nuk e ka marrë në konstultim me KFOR-in dhe se Bernard Kouchner nuk ka qenë i përfshirë. Pas kësaj, ishte informuar edhe KFOR-i.

Në anën tjetër, Gjenerali gjerman, Klaus Reinhardt i cili ishte pjesë e komandës së KFOR-it në Kosovë, në ditarin e tij gjatë 1999-ës kishte thënë se Hashim Thaçi sillej si një fëmijë që nuk iu jepej lodra e tij.

Sipas ditarit që lexoi prokurorja Vega Iodice, gjenerali Reinhardt kishte thënë për Thaçin se lodra që dëshiron është Presidenca e Kosovës dhe udhëheqja politike në ombrellën e Administratës së Bernard Kouchner.

Pas kësaj, James Covey tregoi se sipas burimeve nga KFOR-i, kishte dëgjuar se pjesëtarët e mbrojtjes së Ibrahim Rugovës ishin vrarë dhe se për këtë sulm përgjegjës ishte Daut Haradinaj.

Nga bisedat me Bernard Kouchner dhe nga ajo që kemi mësuar nga burimet e KFOR-it më vonë, ne e kuptuam që truprojat e tij ishin vrarë pothuajse të gjithë. Nuk e di nëse kjo është fushë për të cilën mund të flas unë në mënyrën e duhur pasi unë nuk jam informuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. KFOR-i besonte që vëllai i RamushitDaut Haradinajn ishte përgjegjës për këtë sulm”, tha Covey.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari James Peter Covey ka treguar se Hashim Thaçi e kishte dënuar dhunën e ushtruar ndaj pakicave etnike sidomos gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1999.


Christopher
 Hill

Christopher Hill ishte dëshmitari i pestë në këtë proces gjyqësor. Ai gjatë dëshmisë së tij duke folur për UÇK-në dhe përgjegjësit tha se ishte e vëshirë të gjeje një udhëheqës aty.

“Kjo është përgjigje e thjeshtë për t’u përgjigjur. Do të duhej të ishte kështu por nuk është përgjigje e thjeshtë. Problemi i madh natyrisht është se me UÇK-në ishte paaftësia dhe pamundësia për të gjetur një udhëheqje aty, për të gjetur njerëz që flisnin me autoritet aty”, tha Hill.

Christopher Hill deklaroi se nuk e besonte që ekzistonte një Shtab i Përgjithshëm përgjegjës për UÇK-në.

Ai tha se e shihte këtë si përpjekje për t’u treguar se ishin një ushtri me hierarki vertikale dhe e strukturuar.

“Jo nuk e besoja këtë gjë. Unë mendoj që ishte më shumë përpjekje për të treguar se ishin një ushtri në mënyrën tradicionale me hierakri vertikale. Ishte një orvatje për të na treguar ne se ne kemi struktura normale politike-ushtarake dhe ne t’i merrnim seriozisht”, tha ai.

Përveç kësaj, Christopher Hill kishte thënë se këta persona po përpiqeshin që të tregohen më të rëndësishëm nga që ishin në realitet.

Hill deklaroi se askush përveç Sllobodan Milloshevqit nuk i ka thënë atij se Hashim Thaçi ishte i përfshirë në tortura ose në abuzime të të drejtave të njeriut.

Ndër tjerash, duke folur për marrëveshjen e Rambujesë, Hill tha se Thaçi i kishte thënë se nëse do pranonte ndonjë gjë pa pavarësinë e Kosovës, sapo të kthehej do të vritje.

Ai tha se sipas supozimeve të tyre, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UCK) ishte më shumë një organ ushtarak i cili përbëhej nga komandantët e zonave lokale.

Ndërsa, për Drejtorinë Politike, Hill tha se e perceptonin si një organ që merrej më shumë me botën e jashtme.

Hill theksoi se nuk ka dëshmuar asnjëherë në ndonjë tribuna lpër krime lufte, ndërsa në këtë rast e ka ndjerë të nevojshme të dëshmojë ato që i di. Përkatësisht, të dëshmojë se Thaçi nuk ka bërë krime për të cilat është mbajtur edhe i paraburgosur.

Ndër tjerash, Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se për shqiptarët e Kosovës çështja e pavarësisë ishte slogan. Tha se ishte e vështirë të gjendej ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte se duam thjesht autonomi.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë nga delegacioni shqipar, sipas Christopher Hill ka rrezuar pikëpamjet e Sllobodan Millosheviqit.

Sipas Hill, Millosheviqi thoshte vazhdimisht që shqiptarët nuk mund të bëhen bashkë për asgjë.

“Koncepti i asaj kohe ishte që t’iu jepej mesazh i qartë serbëve: t’iu thuhet se kjo do të ndodhë kështu që ju është mirë që të bëheshit pjesë e procesit. Pra, është mënyra më e mirë që të mbronit interesat e Serbisë dhe të jeni pjesë e këtij procesi. Përderisa, Millosheviq shumë e shumë herë kishte thënë se shqiptarët nuk do të pajtohen dhe nuk bien dakord asnjëherë për asgjë dhe Marrëveshja në fakt e rrezonte pikëpamjen e tij që shqiptarët nuk do pajtoheshin me asgjë”, tha Hill.

Christopher Hill deklaroi se iu tha Millosheviqit se e kishte gabim se e arritën marrëveshjen dhe është radha e Serbisë që të bëjë lëvizjen e saj.


                                                              Michael Durkee

Ish-këshilltari politik i Gjeneralit Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi në këtë proces gjyqësor për njohurinë e tij për UÇK-në dhe rolin që ka pasur Thaçi.

Dëshmitari Michael Durkee kishte thënë se në takimin në mes Thaçit dhe Wesley Clark, tani i akuzuari nuk kishte vepruar si komandant ushtarak dhe luftëtar, por që dukej më shumë si figurë politike i cili ishte i gatshëm për t’u angazhuar por i qartë se Kosova duhej të bëhej e pavarur.

Ai tha se nuk ka parë ndonjë provë se aktet e dhunës në Kosovë gjatë verës së 1999-ës ishin të drejtuara nga Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Megjithatë, Durkee tha se ka pasur raste kur ka pasur dyshime për përfshirjen e tyre në këto akte.

Duke folur për dhunën, Durkee tha se Thaçi nuk kishte autoritet që ta ndalonte atë.

Durkee u shpreh se gjatë konfliktit në Kosovë, të përfshirë ishin edhe paramilitarë nga popullata serbe. Sipas tij, shumë banorë lokalë jepnin informacione për Ministrinë e Punëve të Brendshme se ku duhet të përqendroheshin ata.

Durkee tha se shqiptarët e Kosovës e panë me sytë e vet se si po trajtohen nga këta persona dhe u ndjenë të tradhtuar nga ata që ishin rritur bashkë.

Michael Durkee tha se kjo ishte një luftë civile brutale gjatë kësaj periudhe kohore.

Dëshmitari theksoi se ka dijeni  se gjenerali Mike Jackson ka dhënë deklarata në gusht të 1999-ës ku është shprehur se ishte i shqetësuar se udhëheqja e UÇK-së nuk kishe kontroll mbi personat e caktuar në UÇK.

Ai tha se disa nga komandantët e zonave nuk e pranonin Marrëveshjen e Demilitarizimit.

Ndryshe, mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq ka njoftuar se nuk do të mbështetet në dëshminë e tre dëshmitarëve të saj në rastin në të cilin Thaçit akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Dëshmitë në të cilat nuk do të mbështetet mbrojtja e Thaçit janë ato të dëshmitarëve 1DW-002, 1DW-010 dhe W04174.

Veç kësaj, mbrojtja tha se miratimi i autorizimit për dëshmitarin 1DW-007 është vonuar, me arsyetimin e mbylljes së përkohshme të Qeverisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, mbrojtja ka theksuar në parashtrimin e 10 tetorit 2025 se pret miratimin për këtë dëshmitarë dhe se ky do të jetë dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin. Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në RambujePaul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor. Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025E ish-këshilltari politik i Wesley ClarkMichael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025Dhe i fundit, dëshmoi gjenerali Wesley Clark më 17 dhe 18 nëntor 2025.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.

Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në PrishtinëHagëTiranë dhe Strasburg.

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në GjilanBudakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi