Gjendja në shëndetësinë tonë

Kriza në jetën tonë të përditshme është e shumëfishtë: shëndetësore, ekonomike dhe sociale.

Lajme

21/08/2020 12:14

Shkruan: Dr. Xhevahire Dukaj

Duke qenë pjesë e personelit shëndetësor me kualifikim të lartë akademik dhe duke kryer punët teknike të stafit shëndetësor, sipas kontratës së punës kur isha e pa kualifikuar në këtë nivel, kjo pozitë më ka bërë shumë të vëmendshme në qasjet tona në përgjithësi, por edhe për përfitime profesionale në veçanti. E ndjeshme për mungesat e infrastrukturës së përgjithshme: në teknologjinë shëndetësore dhe në burime njerëzore. Këtë gjendje në spitale realisht më së miri e dimë ne që punojmë ditë e natë dhe pacientët e familjarët e tyre që kanë frekuentuar e që aktualisht janë nëpër ambientet spitalore. Por mendim kompetent për ta vlerësuar gjendjen reale në klinikat tona, mund të kenë vetëm stafi shëndetësor.

Në spitale edhe pse është bërë një investim në infrastrukturë, megjithatë nuk është e mjaftueshme. Ende ka nevojë të hapësirave për hospitalizim më komod për pacientët dhe për më shumë staf shëndetësor, të dy niveleve, për personel të kualifikuar dhe teknik. Ende mungojnë një pjesë e nevojshme e medikamenteve dhe kushte adekuate. Gjithashtu edhe pajisjet e furnizimeve bashkë kohore mungojnë në shumë sektorë. Vetëm vullneti për shërbime te stafi shëndetësor, është i nivelit botëror. Por jo edhe paga e tyre. Duhet të motivohen doemos me paga shtesë, deri sa të rregullohen ngritjet e parapara me ligjin e ri.

Personeli mjekësor është tejet i ngarkuar me orare angazhimi dhe nga vëllimi i punëve janë të dërmuar e sfilitur nga lodhja. Kjo i pengon të duken heronj të ditëve tona siç janë realisht. Shkalla e rrezikut të mundshëm nga infektimi me virusin Covid-19, aktualisht ka krijuar te personeli shëndetësor një dozë stresi, që nuk është njohur asnjëherë në përvojën time, por edhe nga përshkrimet e të tjerëve që janë me përvojë pune, të cilët ndodhën në karrierën e gjatë para pensionimit. Qindra njerëz vijnë me sëmundje të ndryshme për çdo ditë dhe një pjesë prej tyre edhe të infektuar. Pavarësisht prej trajtimeve profesionale që marrin, shkalla e infektimit në ndonjë rast është e pandalshme dhe numri i vdekjeve çdo ditë është shqetësues. Kjo ndodh nga infektimi me virusin Covid-19 dhe nga sëmundje shoqëruese. Gjatë këtij trajtimi personeli shëndetësor ka pësuar me qindra raste nga infektimi dhe disa sosh edhe me pasoja fatale.

Kosova ka zënë vend të lartë në mesin e shteteve të Evropës, sipas numrit të banorëve. Kjo është e dhimbshme dhe kështu nuk mund të tolerohet edhe shumë kohë. Të gjithë autoritet me përgjegjësi në shëndetësinë e Kosovës, pavarësisht që janë mjaft aktiv, të pranishëm në publik dhe të vlerësuar nga të gjithë ata që kanë rezon racional, megjithatë duhet të ulen bashkërisht me ekspertët më eminent që kemi dhe të kërkojnë zgjidhje të duhura për ta menaxhuar situatën aktuale. Askush nuk duhet të jetë indiferent dhe kjo mund të bëhet deri sa situata nuk ka dalë ende edhe pak kohë nga kontrolli. Pandemia ka sfiduar edhe sisteme shëndetësore të vendeve me zhvillim ekonomik e me arritje në teknologjinë shëndetësore dhe me arritje të admirueshme në praktikat e hospitalizimit. Pikërisht në këtë krizë është zbuluar se sa e rëndësishme është të kemi sigurim shëndetësor dhe investime në infrastrukturën shëndetësore, duke u fokusuar me përqendrim në burimet njerëzore.

Mungesa e personelit dhe e mjeteve shëndetësore është evidente. Por edhe kostoja e lartë e trajtimeve me medikamente është sfidë për qytetarët që një pjese e tyre po mbijetojnë në aspektin ekonomik. Edhe ky aspekt nuk duhet të injorohet dhe kërkohet të trajtohet seriozisht nga autoritet e institucioneve kompetente. Që të ju lehtësohet jeta e qytetarëve dhe stresi i tyre gjatë kohës së hospitalizimit të mos pengoj në ndikimin e terapisë. Gjithashtu edhe korridoret me familjarët e pacientëve, kur nuk kanë brengën për sigurimin e terapive të te afërmve të tyre, do të jenë më të relaksuara. Kjo do të ndikojë që edhe komunikimi me stafin shëndetësor do të jetë më social. E tërë kjo krijon një raport të ndërsjellë pune dhe komunikimi në ambiente spitalore te të gjithë ata që frekuentojnë aty, ashtu siç do të duhej të ishte përherë, sikur ku do në spitalet evropiane. /Lajmi.net/