Gjendet i vdekur një 57-vjeçar në Serbicë të Ulët në Prizren, pranë trupit të tij iu gjet arma e zjarrit
Një person është gjetur pa shenja jete të mërkurën paradite në fshatin Serbicë e Ulët të Prizrenit. Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar sot, më 17 dhjetor 2025, rreth orës 11:35, kur autoritetet janë njoftuar se në fushën e këtij fshati është vërejtur një person i shtrirë pa shenja jete. Njësitet policore, bashkë me…
Lajme
Një person është gjetur pa shenja jete të mërkurën paradite në fshatin Serbicë e Ulët të Prizrenit.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar sot, më 17 dhjetor 2025, rreth orës 11:35, kur autoritetet janë njoftuar se në fushën e këtij fshati është vërejtur një person i shtrirë pa shenja jete.
Njësitet policore, bashkë me ekipin e emergjencës mjekësore, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e personit.
Viktima është identifikuar si M.K., 57 vjeçar, mashkull, nga fshati Serbicë e Ulët.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, e ka konfirmuar rastin për lajmi.net, duke bërë të ditur se nga shikimi fillestar është vërejtur një plagë e shkaktuar nga arma e zjarrit në trupin e viktimës.
“Gjatë ekzaminimit fillestar në vendin e ngjarjes, është vërejtur se viktima kishte një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit, ndërsa në afërsi të trupit është gjetur edhe një armë zjarri – pistoletë”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai shtoi se policia ndodhet ende në vendin e ngjarjes dhe është duke mbledhur informacione, prova materiale dhe dëshmi relevante që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Prokurori kompetent është njoftuar për rastin dhe, në koordinim me Policinë e Kosovës, po udhëheq veprimet e mëtejme procedurale.
Hetimet janë në vazhdim, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë lidhur me motivet apo rrethanat që kanë çuar deri te kjo ngjarje e rëndë. /Lajmi.net/