Gjendet i vdekur një person në Pejë

Policia e Rajonit të Pejës, njofton se është gjetur pa shenja jete trupi i Menduh Bacit, i cili figuronte i zhdukur që nga dhjetori i vitit 2013.

Lajme

04/02/2014 16:26

Menduh Baci, i cili ishte zhdukur më 25 dhjetor të vitit të kaluar, është gjetur pa shenja jete të hënën, në arat e Ekonomisë në fshatin Vitomiricë në Komunën e Pejës.

Në një komunikatë të Policisë së Kosovës, thuhet se me vendim të Prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

“Policia e Kosovës , përkatësishtë Njësiti i Hetimeve pranë Stacionit policor në Pejë, është njoftuar me datë 03.02.2014 rreth orës 17:25 nga një qytetar, se në arat e Ekonomisë në fshatin Vitomiricë ka vrejtur një trup (person) të pa jetë.

“Vendit të ngjarjes fillimisht i është përgjigjur patrulla policore, dhe të njëjtit kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes.Menjëherë është informuar edhe Prokurori i shtetit, Njësiti i Hetimeve në nivel lokal dhe Rajonal, Njësiti krim.teknikës dhe njësitë tjera të nevojshme në ketë rast, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes”.

“Trupi i pa jetë me vendim të Prokurorit shtetit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë , ku do të bëhet obduksioni për tu konstatuar shkaqet e vdekjes.

“Njësiti i Hetimeve Rajonale DRP Pejë, sektori për Persona të zhdukur që nga data 26.12.2013 nga ora 21:40 ka pranuar informatë nga familjari ankues M.Baci , lidhur me zhdukjen e Menduh Baci 1965 nga Peja”.

“I njëjti ishte i prekur edhe nga sindromi Down.Që nga kjo kohë hetuesit janë përpjekur në forma të ndryshme operativo-hetimore për ta gjetur, me që është kërkuar edhe ndihma e qytetarëve për të ndihmuar policinë me ndonjë informacion”.

“Lidhur me identifikimin e viktimës, familjarët kanë identifikuar të njëjtin, se ky është Menduh Baci , personi i cili ishte zhdukur më parë që nga data 25.12.2013”.

Rasti do të procedohet nga Njësiti Hetimeve Rajonale i Policisë së Kosovës.