Gjendet i vdekur në malet e Manastircit të Ferizajt, personi që ishte raportuar i zhdukur – Ndalohet një i dyshuar për vrasjen e tij
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, të dyshuarin me iniciale L.F., për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Pas hetimeve të ndërmarra…
Lajme
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, të dyshuarin me iniciale L.F., për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas hetimeve të ndërmarra nga ana e hetuesve rajonal të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është arritur të identifikohet dhe ndalohet i dyshuari L.F., lidhur me rastin kur fillimisht një person me inicialet B.V., është raportuar i zhdukur nga familjarët e tij dhe sot më datën 05 Shkurt 2025, është gjetur trupi i pajetë i të ndjerit B.V., në malet e fshatit Manastirc të komunës së Ferizajt.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë (IML).
Prokuroria Themelore në Ferizaj në koordinim me Policinë, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së gjitha rrethanave lidhur me këtë çështje penale.
Me 1 shkurt të këtij viti, Policia e Kosovës kishte raportuar se është zhdukur Bekim Vari. Sipas familjarëve të tij i njëjti ishte larguar nga shtëpia e tij në fshatin Pleshinë e Ulët të Ferizajt më 22.01.2025, rreth orës 17:00 dhe që nga ajo kohë nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij. /Lajmi.net/