Gjen telefonin dhe portofolin me para, qytetari nga Mitrovica e dorëzon në Polici

Një rast që dëshmon përgjegjësi qytetare dhe bashkëpunim me institucionet është regjistruar në Mitrovicën e Veriut, ku një qytetar ka dorëzuar në Polici një telefon mobil dhe një portofol me para që ishin humbur nga pronarja e tyre. Sipas njoftimit të Policisë, dje më 3 qershor, një qytetare kishte raportuar se gjatë qëndrimit në rrugën…

Lajme

04/06/2026 11:24

Një rast që dëshmon përgjegjësi qytetare dhe bashkëpunim me institucionet është regjistruar në Mitrovicën e Veriut, ku një qytetar ka dorëzuar në Polici një telefon mobil dhe një portofol me para që ishin humbur nga pronarja e tyre.

Sipas njoftimit të Policisë, dje më 3 qershor, një qytetare kishte raportuar se gjatë qëndrimit në rrugën “Kolashini” në Mitrovicën e Veriut kishte humbur telefonin mobil dhe portofolin, në të cilin ndodhej edhe një shumë e hollash.

Më vonë, rreth orës 18:00, në stacionin policor është paraqitur qytetari E.R., i cili ka njoftuar se sendet e humbura ishin gjetur nga babai i tij. Ky i fundit e kishte udhëzuar djalin që telefonin dhe portofolin t’i dorëzonte në Polici.

Pas procedurave dhe verifikimeve të nevojshme, zyrtarët policorë kanë bërë identifikimin e pronares dhe i kanë kthyer asaj telefonin, portofolin dhe paratë e humbura.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarin E.R. dhe familjen e tij për veprimin e përgjegjshëm dhe shembullor, duke theksuar se raste të tilla forcojnë besimin ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të sigurisë, si dhe kontribuojnë në rritjen e sigurisë në komunitet. /Lajmi.net/