Gjatë vitit 2018, u raportuan 43 raste të ngacmimit seksual

Ngacmimet seksuale dhe mos raportimi i këtyre rasteve po shihen me shqetësim nga qytetarët dhe aktivitetet e shoqërisë civile. Në ndërkohë, sociologët thonë se ngacmimet seksuale ndodhin si pasojë e faktorëve ekonomik dhe social.

Lajme

01/08/2019 22:43

Kohëve të fundit në rrjete sociale janë publikuar disa video ku shihet se disa individë ngacmojnë seksualisht.

E sipas sociologut Besim Gollopeni, ngacmimet seksuale ndodhin për shkak të shumë faktorëve, duke i përfshirë ata ekonomik dhe social.

“Kjo ka të bëj më një nivel të ultë të emancipimit shoqërorë. Pastaj elementë të tjerë që çojnë deri të ngacmimet seksuale janë gjendja e brishtë ekonomike e sociale…Këta dy faktorë dhe emancipimi i ultë çojnë deri te ngacmimet seksuale”, shprehet për RTV Dukagjinin, Besim Gollopeni.

Ndërsa, qytetarja Era Krasniqit, ka kërkuar që të gjitha ngacmimet seksuale të raportohen në polici.

“Mendoj se është një gjest shumë i ultë dhe i parespektueshëm nga ana e meshkujve dhe femrave. Mendoj se çdokush që preket nga ky fenomen duhet të raportojë në polici, pasi do të ndihem më mirë për vete por edhe do t’u ndihmonin të tjerëve duke denoncuar”, shprehet qytetarja Era Krasniqi, përcjell Telegrafi.

Aktivisti Lendi Mustafa, tha se ngacmimet seksuale po vazhdojnë të jenë një fenomen  problematik. Sipas tij, janë të rrezikshme për shoqërinë tonë. Ai ka fajësuar edhe institucionet e vendit.

“Hapësirën e japin edhe vetë institucionet tona. Kur rastet ndodhin e nuk merren seriozisht dhe nuk merren masa, atëherë normal që çdo kush do të ndihet i lirë të veproj ashtu siç donë dhe të cenoj privatësinë e tjetrës apo tjetrit. Shpresoj shumë që në të ardhmen këto raste do të merren seriozisht nga institucionet përgjegjësi e të mos ndodhin edhe brenda këtyre institucioneve (pasi që tani me kemi rrëfime të mjaftueshme që janë ngacmuar edhe në Polici)”, ka deklaruar Lendi Mustafa.

Sipas statistikave të Policisë  së Kosovës, ndër vite 56 është numri më i lartë i raportimeve të ngacmimeve seksuale.