Gjashtë raste të armëmbajtjes pa leje në 24 orët e fundit në Kosovë, sekuestrohen armë dhe municion

Policia e Kosovës ka raportuar gjashtë raste që lidhen me armëmbajtjen pa leje gjatë 24 orëve të fundit, të regjistruara në Obiliq, Prizren, Klinë, Istog, Skenderaj dhe Zubin Potok. Gjatë kontrolleve dhe veprimeve hetimore janë sekuestruar armë zjarri, municion, një pistoletë me gaz, si dhe pajisje të tjera, ndërsa një person është arrestuar dhe dërguar…

Lajme

17/07/2026 09:31

Policia e Kosovës ka raportuar gjashtë raste që lidhen me armëmbajtjen pa leje gjatë 24 orëve të fundit, të regjistruara në Obiliq, Prizren, Klinë, Istog, Skenderaj dhe Zubin Potok.

Gjatë kontrolleve dhe veprimeve hetimore janë sekuestruar armë zjarri, municion, një pistoletë me gaz, si dhe pajisje të tjera, ndërsa një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, transmeton lajmi.net.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti më i rëndë është shënuar në Prizren, ku pas një denoncimi për kanosje, hetuesit në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në pronat e të dyshuarit në rajonin e Ferizajt. Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, 31 fishekë, një karikator, dy këllëfë pistoletash, një thikë dhe një pushkë ajrore e dëmtuar. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në rastet e tjera, armët janë zbuluar gjatë kontrolleve të automjeteve ose kontrolleve ndaj personave nga njësitë policore. Në Obiliq është konfiskuar një armë me dy karikatorë dhe 18 fishekë, në Klinë një armë me shtatë fishekë, në Istog një pistoletë me gaz me pesë fishekë, ndërsa në Skenderaj një armë me një karikator dhe tetë fishekë.

Ndërkaq, në Zubin Potok, një i dyshuar gjatë intervistimit për një rast tjetër ka pranuar se posedonte një pushkë me leje të UNMIK-ut. Policia ka sekuestruar pushkën M48 dhe 10 fishekë, ndërsa edhe në këtë rast i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, pas konsultimit me prokurorin.

Përveç rastit në Prizren, ku i dyshuari është ndaluar, në të gjitha rastet e tjera personat e dyshuar janë intervistuar dhe janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa armët dhe municioni janë sekuestruar si prova materiale.

Më poshtë janë raportet e plota të Policisë së Kosovës:

Rr. Adem Jashari, Obiliq 16.07.2026 – 17:50. Gjatë kontrollin në veturën e të dyshuarit mashkull kosovar, është gjetur dhe konfiskuar një armë me dy karikatorë dhe 18 copë fishekë. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Prizren 15.07.2026 – 16:00. Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar policinë se është kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar. Në konsultim me prokurorin, janë kryer bastisje në pronat e të dyshuarit në rajonin e Ferizajt ku janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë gjuetie, 31 fishekë të pushkës së gjuetisë, një karikator, dy këllëfë të pistoletave, një thikë dhe një pushkë ajrore e dëmtuar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas inicimit të rastit, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Fsh. Dollc, Klinë 16.07.2026 – 21:38. Gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit mashkull kosovar, është gjetur dhe konfiskuar arma me 7 copë fishekë. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Rr. Nëna Terezë, Istog 16.07.2026 – 23:45. Njësiti policor tek i dyshuari mashkull kosovar, kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me gaz me pesë copë fishekë. I dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.

Rr. Ali Gashi, Skenderaj 16.07.2026 – 19:27. Gjatë kontrollit të të dyshuarit mashkull kosovar, i është gjetur dhe konfiskuar arma me një karikator dhe 8 copë fishekë. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Fsh. Burllatë, Zubin Potok 16.07.2026 – 13:30. I dyshuari mashkull kosovar, derisa ka qenë duke u intervistuar për një rast e ka pranuar se posedon një pushkë me leje të UNMIK-ut. Nga i dyshuari është sekuestruar një pushkë M48 dhe 10 fishekë. Në konsultim me prokurorin pas intervistimit i dyshuari është lirua në procedurë të rregullt./lajmi.net/