Gjashtë fëmijë u mbytën në gropa

Për pak vjet, gjashtë fëmijë në Kosovë kanë humbur jetën në gropat e hapura nga kompanitë e papërgjegjshme. Shteti nuk ka marrë kurrfarë masa ligjore ndaj këtyre të fundit.

Lajme

25/06/2016 08:41

Dy fëmijët, Florenta dhe Florent Mramori, që u mbytën të enjten në një gropë pranë shtëpisë së tyre në lagjen “Kolovica” në Prishtinë, nuk janë të vetmit që humbën jetën në këto gropa të lëna të pambyllura nga kompanitë që kryejnë punime në Kosovë.

Si pasojë e gropave septike të pambyllura nga kompanitë, kanë gjetur vdekjen disa fëmijë, shkruan gazeta ‘Zeri’.

Më 17 qershor 2015, dy fëmijë të familjes Bytyçi nga Sërbica e Ulët në Prizren janë mbytur në një gropë të mbushur me ujë.

Katër fëmijët e kësaj familjeje kishin hyrë për t’u freskuar në këtë pjesë të gropuar nga ekskavatorët e një fabrike të tullave.

Mirëpo, 11-vjeçari Leutrim Bytyçi dhe djali i axhës së tij, Leonard Bytyçi, 8-vjeçar, nuk arritën të shpëtojnë. E trupat e fëmijëve u nxorën nga një fqinj i familjes Bytyçi.