Gjashtë ditë para se qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit, partitë politike në “ankth”

Kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ditë, para se qytetarët e Kosovës t’iu drejtohen kutive të votimit. Më 28 dhjetor, qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë Kosovës, do të kenë mundësi të vendosin se kush do të qeveris gjatë katër viteve të ardhshme. Në garë për kryeministër janë, Albin Kurti nga VV,…

Lajme

22/12/2025 13:00

Kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ditë, para se qytetarët e Kosovës t’iu drejtohen kutive të votimit.

Më 28 dhjetor, qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë Kosovës, do të kenë mundësi të vendosin se kush do të qeveris gjatë katër viteve të ardhshme.

Në garë për kryeministër janë, Albin Kurti nga VV, Bedri Hamza nga PDK, Lumir Abdixhiku nga LDK, Ramush Haradinaj nga AAK dhe Fatmir Limaj nga Nisma, ndërsa janë gjithsej edhe 1180 kandidatë për deputetë për 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Që nga 17 dhjetori, por edhe më parë, këta mijëra kandidatë për deputetë e të tjerët për kryeministër, po kërkojnë votën e qytetarëve.

Anë e mbanë Kosovës, partitë politike po mbajnë takime me qytetarë të të gjithave moshave që kanë të drejtë vote, duke iu premtuar mirëqenie, siguri, si dhe zhvillim në shëndetësi e arsim.

Kryeministri në detyrë i Kosovës që është në garë edhe për një mandat, para votuesve iu ka premtuar se do të rrit pagat e pensionet, si dhe do të jep pagën e 13-të për shërbyesit publik.

“5 vendimet e para të Kryeministrit Albin Kurti në mandatin e ardhshëm:

  1. Miratimi i buxhetit rekord prej 4 miliardë € për vitin 2026.
  2. Procedimi i ligjit për çmime tavan për të frenuar abuzimet me çmimet.
  3. Heqja e kufizimit të punësimit për veteranët e UÇK-së përfitues të beneficioneve.
  4. Pagesa e pagës së 13-të për të gjithë shërbyesit publikë në fillim të vitit.
  5. Miratimi i Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 (200 milionë €), që përfshin mbështetje për pensionistë, fëmijë, studentë, punëtorë privatë dhe subvencionim të energjisë për mbi 200 mijë familje”, ka premtuar Kurti.

Ai ka thënë se shtesat për fëmijë do të bëhen nga 0-45 euro dhe nga 45-90 euro, ndërsa për nënat lehona ka thënë se në gjashtë muajt e parë pas lindjes do t’i marrin nga 500 euro.

Kurti ka thënë se do të nisë programi i pensionimit të parakohshëm të shkallëzuar për policët, duke filluar nga mosha 63 deri në 55 vjeç.

Ai ka premtuar edhe rritjen e pagës mesatare në 1 mijë euro në muaj, shkruan lajmi.net.

Si Kurti, fushatën e ka filluar edhe i pari i PDK-së, kandidati për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza.

Ai ka premtuar se pagat dhe pensionet do të rriten për 50% dhe sipas tij, asnjë pension nuk do të jetë nën 250 euro.

Për bizneset, Hamza ka premtuar s do të jetë partner i sektorit privat me mbështetje, granhte dhe politika që krijojnë vende pune dhe rrisin paga.

“Do ta ndryshojmë Ligjin për Tatimin në Pronë dhe do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, për fatura më të ulëta dhe më shumë zhvillim”, ka shkruar Hamza në rrjetin social
Facebook.

Ai ka thënë se bizneset me qarkullim deri në 30,000€ do të tatohen sipas fitimit real, ndërsa përmirësimi i qasjes në kredi dhe i mundësive për investitorët do të forcojë konkurrencën dhe rrisë punësimin.
I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka dhënë 10 zotimet e tyre për Kosovën.
  1. “Pagë 1000 euro për mësuesit
  2. Pagë 900 euro për policët, ushtarët dhe zjarrfikësit
  3. 2400 euro për çdo të posalindur
  4. Koeficienti 150 për rreth 80 mijë punëtorë publikë
  5. 6 muaj pagesë për çdo të sapodiplomuar
  6. Pensione 300 euro
  7. Mësim tërëditor dhe 80 çerdhe
  8. Trajnim ICT për 40 mijë të rinj
  9. Përfundimi i rrugëve strategjike kombëtare
  10. Central me gaz, spital i ri, stadium kombëtar, Brezovica”, ka premtuar Abdixhiku.

Me sloganin “krah teje”, Haradinaj në hapje të fushatës ka premtuar se do të jetë krah nënave të reja, që sjellin në jetë fëmijë dhe i rritin në Kosovë.

Deri në vitin 2029, Haradinaj ka premtuar dyfishim të të gjitha pagave dhe pensioneve.

Ai në Istog gjithashtu ka premtuar edhe rritje të subvencioneve dhe mbështetje për fermerët si dhe energji elektrike me çmim më të ulët.

Haradinaj si para fushatës edhe gjatë kësaj, në vazhdimësi ka premtuar anëtarësim në NATO.

“Të nderuar të pranishëm, kam dorëzuar kërkesë në Amerikë, në Washington, në disa adresa për këto nene që i nënshkroi presidenti amerikan, Ligjin për autorizimin e sigurisë kombëtare. Në nenet e Kosovës, para një viti, i kam kërkuar me shkresë. Ka pasë njerëz që më kanë thënë s’bohet kurrë, plot ka pasë, që sa kohë jam ka vij edhe në Istog, qyrni se çka kam folë para 9 shkurtit, kqyrni a i keni në ato ligje Kosova, pra është kandidat potencial për me u anëtarësu në NATO. Nuk ka kushte, veç duhet me i kry detyrat e shtëpisë që i kryen çdo anëtar që don me u anëtarësu në NATO. Këtë punë e kryjmë shpejt e sigurt”, është shprehur Haradinaj.

Me ofrimin e ditës së zgjedhjeve, po rritet edhe angazhimi i politikanëve me qytetarët. Ata po kërkojnë votën e tyre duke iu premtuar mirëqenie, e kushte më të mira të jetës, premtime të cilat i bëjnë në pothuajse çdo fushatë, por edhe në vitin 2025, në Kosovë duhet të flitet për sigurimin e ujit të pijshëm e gjëra të tjera që janë elementare.

Më 28 dhjetor, do të bëhet e qartë se kujt i “vlejti” angazhimi në fushatë. /Lajmi.net/