Gëzuar 17 Shkurti – Dita e Pavarësisë
Sot Kosova feston përvjetorin e shtatë të Pavarësisë. Pas një rrugëtimi të vështirë, e pushtuar nga mbretëri e shtete sllave në Ballkan, e ndarë dhunshëm nga pjesa tjetër e Shqipërisë më 1913, sundimit të huaj mbi 100 vjeçar i erdhi fundi edhe de jure. Nëntë vjet pas çlirimit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e ndihmuar nga NATO, Kuvendi, në një seancë solemne të organizuar më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Lajme
Ish-njësi federale e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Kosova është vendi i fundit që e fitoi mëvetësinë si rrjedhojë e shpërbërjes së përgjakshme të kësaj federate.
Në vitin 1990, Kosova u shpall republikë dhe në vitin 1991 shtet i pavarur, mirëpo nuk arriti ta jetësonte pavarësinë e vet në rrethanat e pushtimit ushtarak serb që zgjati plot një dekadë (1989-1999).
Qëndresa paqësore mbarëpopullore, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare (1997-1999) dhe ndërhyrja ajrore e NATO-s në pranverë të 1999 iu dhanë fund krimeve të Serbisë mbi popullatën shqiptare të Kosovës.
Kosova nga viti 1999, pasi që forcat serbe u detyruan ta lëshonin Kosovën, ka qenë e administruar nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK, dhe institucionet demokratike të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria e Kosovës.
Në nëntor 2005 filloj zyrtarisht procesi për vendosjen e statusit përfundimtar të Kosovës, por bisedimet për të arritur një zgjidhje me pajtim të të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, dështuan. Këto përpjekje u drejtuan nga ish-kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i cili në vitin 2007 doli me propozimin e tij për statusin e Kosovës, pavarësi të mbikëqyrur.
Më pas, më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran dhe deri më tani është njohur nga 110 vende në mbarë botën, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia që pretendon sovranitet mbi gjithë territorin kosovar.
Megjithatë, politikat antishqiptare, luftërat, statusi politik dhe keqadministrimi ndërkombëtar e i politikës vendase në vitet e fundit kanë bërë që Kosova të radhitet si vendi më i varfër në Evropë dhe ndër më të varfrit në botë.
Ka një sipërfaqe prej 10.887 km² dhe popullsi prej 1.8 milion banorësh shqiptarë, pasi që serbët kanë bojkotuar procesin e numërimit. Shumica dërrmuese e popullsisë janë shqiptarë, ndërsa komunitetet tjera përfshijnë serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptasit dhe goranët.
Kosova është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Të ardhurat nga diaspora dhe ndihma ekonomike e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara janë shtyllat e ekonomisë kosovare, që shënon mbi 40 përqind të papunë.